Arben Malaj zbulon ofertat: Partitë opozitare më propozuan të jem në listat e tyre

schedule11:03 - 6 Mars, 2021

schedule 11:03 - 6 Mars, 2021

Ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj deklaron se ka zgjedhur të mos jetë pjesë e listave të partive politike në zgjedhjet. Në një shënim të gjatë në rrjetet sociale, Malaj zbulon se ka marrë propozime edhe nga partitë opozitare për të qenë në listat e tyre.

Ish-ministri shprehet se i falenderon por “gjithmonë kam vlerësuar se t’i shërbesh vendit tënd me dashuri, integritet dhe profesionalizëm nuk është e domosdoshme  të jesh pa tjetër deputet apo ministër”.

Ish-ministri socialist thotë se në vazhdim do t’i përkushtohet promovimit të Partisë Agrare Ambientaliste dhe shoqërisë civile, duke dhënë mbëhstetjen e tij publike.

Mesazhi i plotë:

Nje mesazh publik per miqte e mi edhe ne fb. Perse nuk do të jem pjesë  e listave për deputet në zgjedhjet  e 25 Prillit? “Gjithmonë kam vlerësuar se t’i shërbesh vendit tënd  me dashuri, integritet dhe profesionalizëm  nuk është e domosdoshme  të jesh pa tjetër deputet apo ministër”.

Fillimisht  dua të afishoj një falënderim mirënjohës për gjithë inspiruesit dhe mbështetësit në angazhimet dhe përgjegjësitë  e mia politike dhe publike.

Falenderoj familjen dhe mësuesit e mi për vlerat që më edukuan, të cilat më shërbejnë në çdo angazhim dhe sfidë.

Falenderoj  votuesit dhe mbështetësit e mi dhe në mënyrë të vecantë njerëzit e mrekullueshëm të qarkut të Vlorës që kam pasur nderin dhe përgjegjësinë ti përfaqësoj 16 vite në parlament dhe  5  vite në qeveri ( 1997-2013).

I falenderoj partitë politike të opozitës që më ofruan mundësi për të qenë pjesë e listave të tyre konkuruese, por gjithmonë kam vlerësuar se t’i shërbesh vendit tënd me dashuri, integritet dhe profesionalizëm nuk është e domosdoshme  të jesh pa tjetër deputet apo ministër.

E mirëkuptoj promovimin e gjeneratave të reja, por vlerësoj shumë të rëndësishme sidomos për kulturën dhe historinë tonë shtetformuese,  harmonizimin  e dijeve dhe energjive të të rinjve me përvojën dhe përkushtimin e gjeneratave.

I kam inspiruar dhe mbështetur të rinjtë gjatë  mandateve si ekonomist, profesor, studiues dhe politikan, por shprehem sërish skeptik ndaj absolutizimit të avantazheve të  gjeneratave të reja sidomos kur karriera e tyre politike bazohet thjesht në preferencat individuale të liderëve partiakë.

Shqipërisë në sfidat e saj të vështira  i vlejnë barazvlefshëm edhe energjizmi rinor, edhe maturia si përvojë.

Eksperiencat konkrete  gjatë  tranzicion tonë  të vështirë, tregojnë se për  disa “politikanë parafabrikat”, pushteti abuziv  dhe paraja janë qëllimi i vetëm.

Me arrogancën dhe babëzinë e tyre ata : (i) kanë dëmtuar demokracinë e brendshme në partitë politike; (ii)  kanë rritur agresivitetin ndërpartiak në parlament dhe debatet publike; (iii)  kanë përkeqësuar qeverisjen e vendit  dhe (iv)  kanë ushqyer korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Detyrimin mirënjohës ndaj popullit dhe vendit tim dhe ndaj socialistëve të thjeshtë do ta vazhdoj me të njëjtin përkushtim mirënjohës  si qytetar, studiues dhe  kontribues me zë publik për reformat strukturore shtetformuese,  sfidat e mirëqeverisjes dhe për reformat sektoriale me prioritet  ekonominë e gjelbër dhe  ekonominë së dijes.

“E ardhmja do të jetë e gjelbër”  – prandaj si studiues do të përkushtohem për promovimin e të gjelbërve në politikën shqiptare duke i dhënë mbështetjen e merituar publike “Partisë Agrare Ambientaliste” dhe shoqërisë civile.

Uroj nga zemra që e ardhmja më e mirë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të jetë i vetmi mision dhe përkushtim i çdo të angazhuari në mandatet e rëndësishme politike dhe publike!

Përherë mirënjohës dhe i përkushtuar ndaj vendit tim,

Arbeni

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!