Biznesmeni Arben Frroku, vëllai i ish-deputetit Mark Frroku i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm. Gjykata holandeze e ka dënuar me 18 vite burgim. Atij do ti njihen edhe ditët e burgut që ka kryer në Shqipëri dhe Greqi. Drejtësia shqiptare e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.
Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, Gjykata e Amsterdamit ka vendosur ndaj tij dënimin me 18 vite burgim. Lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i Arben Frrokut, Gerald Roethof, i cili ka thënë se në Holandë “nuk mund të aplikohen të njëjtat vendime të gjykatave të huaja për shtetasit e huaj”, raporton “De Telegraaf”.
Arben Frroku u arrestua në Holandë në Prill të vitit 2016 me dokumente të falsifikuara greke me identitetin Renato Xhepa. Ai u kap në provincën Shiphol pranë aeroportit ndërkombëtar të Amsterdamit. Pas arrestimit të tij, ka patur një proces të gjatë gjyqësor për ekstradimin e Frrokut drejt Shqipërisë. Përfundimisht, Gjykata e Apelit në qytetin e Hagës vendosi që të mos ekstradojë Arben Frrokun në Shqipëri, me argumentimin se procesi gjyqësor mund të ketë qenë i ndikuar politikisht. Pas rrëzimit të ekstradimit, Ministria shqiptare e Drejtësisë ka kërkuar që dënimi të zbatohet në Holandë.
Gjykata e Apelit të Hagës refuzon ekstradimin e Arben Frrokut