Arabia Saudite po përgatitet të hapë dyqanin e parë të pijeve alkoolike për diplomatët

schedule15:29 - 24 Janar, 2024

schedule 15:29 - 24 Janar, 2024

Arabia Saudite po përgatitet të hapë dyqanin e saj të parë të pijeve alkoolike në kryeqytetin Riad që do t’u shërbejë ekskluzivisht diplomatëve jomuslimanë.

Blerësit do të duhet të regjistrohen nëpërmjet një aplikacioni celular, të marrin një kod miratimi nga ministria e jashtme dhe të respektojnë kuotat mujore kur blejnë, thuhet në dokument, raporton Reuters.

Lëvizja shënon një moment historik në përpjekjet e mbretërisë, të udhëhequr nga Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, për të hapur vendin ultra-konservator mysliman ndaj turizmit dhe biznesit, pasi pirja e alkoolit është e ndaluar në Islam.

Dyqani i ri ndodhet në Lagjen Diplomatik të Riadit, një lagje ku banojnë ambasadorët dhe diplomatët, dhe do të jetë “rreptësisht e kufizuar”, thuhet në dokument.

Ishte e paqartë nëse emigrantët e tjerë jomuslimanë do të kishin akses në dyqan. Miliona emigrantë jetojnë në Arabinë Saudite, por shumica e tyre janë punëtorë myslimanë nga Azia dhe Egjipti.

Një burim i njohur me planet tha se dyqani pritet të hapet në javët e ardhshme.

Arabia Saudite ka ligje të rrepta kundër pirjes së alkoolit të dënueshme me qindra kamxhik, dëbim, gjobë ose burgim, dhe emigrantët gjithashtu përballen me dëbim. Si pjesë e reformave, fshikullimi u zëvendësua kryesisht me dënime me burg.

Alkooli disponohej vetëm përmes postës diplomatike ose në tregun e zi./abcnews.al