Arabia Saudite ka njoftuar një donacion prej 40 milionë dollarësh për UNRWA, agjencia e OKB-së për palestinezët. Shumë vende bllokuan financimet për agjencinë e OKB-së pasi Izraeli akuzoi 12 punonjës të saj se kishin marrë pjesë në masakrën e 7 tetorit të Hamasit në territorin izraelit.
Në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres njoftoi formimin e një komisioni të pavarur për të vlerësuar “neutralitetin” e agjencisë kryesore të OKB-së për refugjatët palestinezë dhe operacionet e saj pas akuzave se është përfshirë në sulmin ndaj Izraelit me 7 Tetor.
Komisioni Evropian vendosi rikthimin e ndihmave në fillim të marsit. Ministrat e Jashtëm të BE pranuan se organizata e UNRWA-s është e rëndësishme për furnizimin bazik të popullsisë në Rripin e Gazës në gjendjen e tanishme të luftës. Edhe Kanadaja dhe Australia njoftuan se do të rinisnin financimet për agjencinë./abcnews.al