Arabia po përpiqet të rindërtojë një Jemen të “shkatërruar”

schedule16:56 - 16 Maj, 2023

schedule 16:56 - 16 Maj, 2023

Javën e kaluar spitali në Jemenin jugor u rinovua me ndihmën e fondeve saudite. Gjithashtu u mbajt një ceremoni për prerjen e shiritit ku ishte prezent edhe ambasadori saudit, vendi u zbukurua me trëndafila dhe nuk mungonte as tapeti i kuq.

Megjithatë, shumë pacientë u larguan nga spitali me ajër të kondicionuar dhe ishin detyruar të prisnin me orë të tëra jashtë në vapë mbytëse, disa prej tyre bërtisnin “Jam i lodhur! Jam i sëmurë!”

Tetë vjet pas mobilizimit të trupave për të rrëzuar rebelët Huthi dhe për të rivendosur qeverinë e mbështetur ndërkombëtarisht të Jemenit, Arabia Saudite po përpiqet të zhvillojë projekte rindërtimi dhe zhvillimi me vlerë qindra miliona dollarë ndërsa përpiqet edhe të rivendos paqen.

“Qëllimi ynë është i qartë: një Jemen i sigurt, i qëndrueshëm dhe i zhvilluar,” i tha AFP i dërguari saudit, Mohammed al-Jaber pas një turneu në Spitalin e Përgjithshëm Aden, ndërtesat e banimit dhe aeroportin ndërkombëtar të Adenit, të gjitha të rinovuara nën programin e zhvillimit të mbretërisë për Jemenin.

Lufta ka vrarë qindra mijëra njerëz ose përmes luftimeve janë shkaktuar dëme të tjera si uria dhe sëmundjet. Miliona mbesin të zhvendosur, shtëpitë dhe komunitetet e tyre të shkatërruara.

Shumë persona në spital ishin pacientë të varfër që kishin udhëtuar në distanca të gjata për të arritur në një nga objektet e pakta që ofronin kujdes mjekësor falas, tha mjeku Abdulwahab Al Matry.

“A mjafton kjo?” pyeti ai, duke iu referuar shtretërve dhe pajisjeve të reja spitalore. “Sigurisht që jo, kemi nevojë për më shumë.” /abcnews.al