Pasi kishin refuzuar më herët transferimin e kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny, mjekët rusë pranuan transportimin e tij për kurim në Gjermani, duke e konsideruar Navalnyn mjaftueshëm të qëndrueshmen për të udhëtuar.
Pak orë më parë, mjeket ruse kishin pranuar t’u hapnin portat mjekëve gjermanë, për të vlerësuar gjendjen e Navalnyt, të shtruar në terapi intensive, për shkak të një helmimi të dyshuar.
Franca dhe Gjermania kishin shprehur gatishmërine për të ofruar trajtim mjekësor për opozitarin rus. Por mjekët e spitalit Omsk në Siberi, ku Navalny ndodhet prej dy ditësh në gjendje kome, nuk kishin dhënë autorizimin për ta transferuar në një spital tjetër, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Ky vendim ka ngjallur mjaftë debate pasi përkrahësit e Navalny akuzuan spitalin se po merrte një vendim politik dhe jo klinik.
Njerëz pranë kreut të opozitës ruse thane se ende nuk ka dale një diagnozë për Navalnin, pasi sipas tyre po pritet koha e duhur, që toksinat të identifikohen.
Por, në një buletin mjekësor në mesditë shkruhej: “sëmundje e shkaktuar nga një çrregullim i ekuilibrit të karbohidrateve, një çrregullim metabolik”.
Kjo tezë nuk i ka bindur aspak mbështetesit e Aleksei Navalnit. Ata thonë se situata po mbahet e fshehtë nga autoritetet shëndetesore, sipas një urdhëri politik. /abcnews.al/