Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Apple heq nga qarkullimi aplikacionin që sinjalizonte praninë e agjentëve të emigracionit në SHBA

schedule16:02 - 3 Tetor, 2025

schedule 16:02 - 3 Tetor, 2025

Kompania teknologjike Apple ka larguar nga platforma e saj App Store aplikacionin ICEBlock, i cili u lejonte përdoruesve të raportonin praninë e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Në një deklaratë për BBC, Apple bëri të ditur se vendimi për të hequr aplikacionin u mor pasi autoritetet ligjzbatuese ngritën shqetësime për “rreziqe sigurie” që lidhen me këtë dhe aplikacione të ngjashme.

Sipas një deklarate të dërguar për Fox News Digital, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, Pam Bondi, kishte “kërkuar” zyrtarisht heqjen e aplikacionit, duke e cilësuar atë si një mjet që “rrezikon jetën e agjentëve të ICE”.

Krijuesi i aplikacionit, Joshua Aaron, i ka cilësuar akuzat si “plotësisht të pavërteta” dhe ka akuzuar Apple për “nënshtrim ndaj një regjimi autoritar”. Sipas tij, aplikacioni është krijuar si reagim ndaj shtimit të operacioneve të ICE, veçanërisht pas fushatës së administratës së ish-Presidentit Donald Trump kundër emigracionit të paligjshëm.

Aplikacioni ICEBlock, i cili ishte shkarkuar mbi një milion herë në SHBA, funksiononte duke i lejuar përdoruesit të ndanin në kohë reale vendndodhjen e oficerëve të emigracionit. Kritikët e administratës amerikane, përfshirë edhe krijuesin e aplikacionit, e kanë akuzuar qeverinë për keqpërdorim të pushtetit dhe për “përhapje të frikës në rrugët e Amerikës”.

Pam Bondi ka argumentuar se aplikacioni përdorej për të ndjekur lëvizjet e agjentëve të ICE, ndërsa FBI ka deklaruar se një person që kishte sulmuar një qendër të ICE në Dallas në muajin shtator, duke vrarë dy të ndaluar kishte përdorur aplikacione të ngjashme për të gjurmuar agjentët dhe automjetet e tyre.

Në një deklaratë zyrtare, Apple tha: App Store është krijuar si një vend i sigurt dhe i besueshëm për të zbuluar aplikacione të reja. Bazuar në informacionet e marra nga autoritetet ligjzbatuese për rreziqet që paraqet aplikacioni ICEBlock, kemi vendosur ta heqim atë dhe aplikacionet e ngjashme nga platforma jonë.

Nga ana tjetër, Joshua Aaron mohon që aplikacioni të ketë përbërë ndonjë rrezik për sigurinë publike.

“ICEBlock nuk është aspak i ndryshëm nga aplikacionet që ndihmojnë përdoruesit të sinjalizojnë radaret e shpejtësisë në rrugë një funksion i zakonshëm në shumicën e aplikacioneve të hartave, përfshirë edhe Apple Maps”,  ka deklaruar ai, duke shtuar se aplikacioni është një formë e “fjalës së lirë e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara”.

Aaron, i cili ka një përvojë shumëvjeçare në industrinë e teknologjisë, tha për BBC Verify se motivimi për të krijuar aplikacionin lindi nga shqetësimi për rritjen e numrit të bastisjeve të ICE.

“Kam ndjekur me shumë kujdes ngjarjet gjatë administratës së parë të Trump dhe dëgjova me vëmendje retorikën gjatë fushatës për mandatin e dytë”, tha ai. “Mendja ime filloi të punonte për të kuptuar se çfarë mund të ndodhte dhe çfarë mund të bëja për të mbrojtur njerëzit.”

Shtëpia e Bardhë dhe FBI e kanë kritikuar hapur aplikacionin që prej lansimit të tij në muajin prill, sidomos pasi numri i shkarkimeve nisi të rritej ndjeshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!