Apolonia shpreson te ngjitja në Superiore, Luzi, Burreli e Lushnja kërkojnë “mbijetesën”

schedule17:47 - 7 Prill, 2023

schedule 17:47 - 7 Prill, 2023

Kategoria e Parë e futbollit shqiptare ka nisur ditën e sotme siparin e javës së 22-të, me përballjet Apolonia-Burreli e Luzi-Lushnja, që çelen mes spektaklit këtë javë të Kategorisë së Parë.

Në stadiumin “Loni Papuçiu”, “fierakët” e Apolonisë përmbysën Burrelin dhe mbajnë “gjallë” shpresat për një rikthim në elitën e futbollit shqiptar, Abissnet Superiore. Vendasit fituan me rezultatin e ngushtë 2 me 1, me nigerianin Eneh e Mario Gjatën, që përmbysën në minutat 79’-të e 90’-të golin e minutës së 77’-të të Kolecit.

Në krahun tjetër, Luzi triumfi me rezultatin e pastër 2 me 0 ndaj Lushnjes, duke ruajtur kështu pozitat në mesin e tabelës. Nga një gol në secilën pjesë mjaftoi për “kavajasit”, ku fillimisht gjetën avantazhin në minutën e 8’-të falë 20-vjeçarit, Patrik Treni e më pas dyfishuan shifrat me Gjinajn në minutën e 49’-të.

Pas këtyre rezultate, Apolonia ngjitet në vendin e 5-të të renditje me 31 pikë dhe ndodhet në zonën e “play-off”-it për të siguruar ngjitjen në Abissnet Superiore. Në krahun tjetër, Luzi, Burreli e Lushnja ndodhen respektivisht në vendet 7, 9 e 11, me respektivisht 29, 26 e 25 pikë. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!