Aplikimi në KiE, DASH: Kosova dhe Serbia i përcaktojnë vet përparësitë në politikën e jashtme

schedule18:18 - 13 Maj, 2022

schedule 18:18 - 13 Maj, 2022

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se Kosovës dhe Serbia si vende sovrane i përcaktojnë vet përparësitë e tyre në politikën e jashtme.

Ai bëri këto komente në një përgjigje për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës pasi Serbia reagoi me zemërim ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa paralajmëroi tërheqje të njohjeve të pavarësisë së saj.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mblodhi të premten Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar situatën e krijuar pas kërkesës së Kosovës, të cilën ai e cilësoi si shkelje të marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën ishte arritur pajtimi që brenda një periudhe një vjeçare, Kosova të mos kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ndërsa Serbia të ndalë fushatën e tërheqjes së njohjeve për Kosovën.

Një zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit tha se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane me të drejtë që të përcaktojnë përparësitë e tyre në politikën e jashtme. Në përgjigje thuhet se moratoriumi synonte të zgjerojë hapësirën për diskutim dhe kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interesat strategjike të të dyja vendeve.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për të dy vendet për të zhbllokuar të ardhmen e tyre evropiane dhe për të nxitur angazhimin urgjent, fleksibël dhe serioz në atë proces”, thuhet në përgjigje.

Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, tha në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se Serbia është në pozitë shumë të vështirë dhe nën trysni të jashtëzakonshme për të pranuar, sic u shpreh, “shkeljen e tërësisë tokësore të saj”. Duke paraqitur kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova, tha ai, dëshmoi se nuk është e interesuar për marrëveshje nëpërmjet bisedimeve por ka zgjedhur veprimet e njëanshme.

Ministri serb u tha gazetarëve se katër shtete kanë vendosur të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës me nota diplomatike, të cilat presidenti serb Vuçiç, mund t’i publikojë kurdo që e vlerëson të nevojshme duke u dhënë, siç tha, mundësinë vendeve anëtare të Këshillit të Evropës të mos nisin procedurën e pranimit të Kosovës në muajin qershor.

Kosova dorëzoi të enjten kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Autoritetet në Prishtinë thonë se pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, tashmë janë hapur mundësitë për anëtarësim, ndërsa shpresojnë të sigurojnë mbështetjen e dy të tretave të 46 vendeve anëtare sa është e nevojshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, tha në një konferencë me gazetarë të premten në Prishtinë se kërkesa e Kosovës është hapi më i rëndësishëm i vendit në rrugën drejt integrimeve evropiane, që nga shpallja e pavarësisë.

“Jemi shumë të lumtur që për kërkesën tonë për anëtarësim gëzojmë mbështetje të gjerë në Këshillin e Evropës. Prandaj jemi njëkohësisht të kujdesshëm dhe mirënjohës, por edhe optimistë që homologët e mi në Këshillin e Evropës me datën 20 maj të këtij viti, do ta mirëpresin kërkesën tonë për anëtarësim”, tha zonja Gërvalla Schwarz.

Paralajmërimet e Serbisë për tërheqje të njohjes së Kosovës, ajo i quajti qasje destruktive ndaj fqinjëve duke nënvizuar se ato paraqesin dy mundësi, njëra është që janë lajme të rreme dhe tjetra është që Serbia nuk ka pushuar asnjëherë në fushatën e saj për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës e cila është njohur nga mbi 110 vende të botës dhe i kundërvihet çdo veprimi të Prishtinës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!