Një aplikacion gjurmimi që po përdoret në Rusi për të bërë të mundur që pacientët me koronavirus të respektojnë distancimin social ka shkaktuar zemërim për shkak të gabimeve që kanë rezultuar në qindra euro gjobë për përdoruesit.
Infermierja Maria Alexeyeva u infektua me koronavirus në punë dhe për pasojë i duhej të qëndronte e izoluar në shtëpi. Ajo tregon se ndoqi rregullat nga autoritetet si dhe shkarkoi aplikacionin që iu kërkon përdoruesve të dërgojnë selfie për të parë nëse janë në shtëpi.
Ajo tregon se për shkak të një defekti në aplikacion nuk mund të dërgonte selfie dhe kur karantina e saj mbaroi, zbuloi që ishte gjobitur 11 herë me një vlerë prej 620 dollarësh, shkruan “New York Post”.
Gjithashtu Svetlana Bystrova, e karantinuar në shtëpi me simptoma të ngjashme me koronavirusin, nuk e instaloi aplikacionin. Ajo tha se mjekët e saj nuk i thanë që duhej ta shkarkonte atë pas urdhrit të karantinës që nënshkroi.
Pas dy javësh në izolim, Bystrova zbuloi se ishte gjobitur katër herë, me një vlerë prej 224 dollarësh. Njëra gjobë ishte për mos instalimin e aplikacionit, dy të tjera se kishte dalë jashtë banesës së saj.
Mijëra qytetarë ankohen se janë gjobitur gabimisht nga aplikacioni i karantinës. Në më shumë se një muaj, autoritetet lëshuan rreth 54 mijë gjoba duke arritur deri në 3 milion dollarë. /abcnews.al