Apeli rikthen koncesionin Thumanë-Kashar: Qeveria të miratojë kontratën

schedule18:38 - 6 Shtator, 2021

schedule 18:38 - 6 Shtator, 2021

Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Vendimi është marrë në fund të muajit korrik nga trupa e gjyqtarëve, e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa. Vendimi është i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë.

Por cfarë ndodh tani?

Rrugët janë dy; ose qeveria të pranojë vendimin e gjykatës së Apelit ose ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit dhe prishjen e vendimit. Koncesioni kap vlerën e 457 milionë eurove.

Kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.

U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetindeklaroi Balluku, dy vite më parë.

Fizibiliteti i Thumanë – Kashar 21 km, kosto 162 mln euro

Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar 21 kilometra ka një histori të ndërlikuar për shkak të përfshirjes së tij në paketën e koncesionit PPP.

Kontrata e tipit PPP, e cila ishte fituar nga kompania vendase Gener 2 në korrik 2018, pas një propozimi të pakërkuar me vlerë 226 mln euro pa TVSH dhe 271 milionë euro me TVSH, u anulua nga qeveria shqiptare në fillim të vitit 2019.

Ndërsa, sipas variantit zyrtar të fizibilitetit në Ministrinë e infrastrukturës, ky segment kushton 162 milionë euro pa TVSh dhe 195 mln euro pa TVSH, ose rreth 30% më lirë se varianti me PPP.

Segmenti Thumanë – Kashar, sipas variantit zyrtar shtrihet në një trase krejt të re në të 21 kilometrat e tij, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Ky segment, sipas studimeve, parashikohet të ketë dhe trafikun më të madh, rreth 60 mijë mjete me 24 orë, duke e bërë atë tërheqës për investitorët./ db/Abcnews.al