Apeli i Krimeve dërgon për rekurs në Gjykatën e Lartë dosjen Dajti

schedule18:48 - 13 Mars, 2019

schedule 18:48 - 13 Mars, 2019

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Altin Dumani, ka dërguar për rekurs në Gjykatën e lartë, vendimin për Dritan Dajtin, i dënuar me 25 vjet heqje lirie. Dumani i kërkon kësaj gjykate që të zhbëjë vendimin që i heq burgimin e përjetshëm Dajtit, i shpallur fajtor për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në vitin 2009 në Durrës. Fillimisht ai u dënua me burgim të përjetshëm, por pas një 10-vjeçari përballjesh me drejtësinë, iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, duke ia ulur dënimin në 25 vite burgim. Pas këtij vendimi që solli mjaft reagime, u vendosën nën hetim 3 nga 5 gjyqtarët e çështjes “Dajti”, Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli. Në banesat e tyre u kryen kontrolle, ku në banesën e Daminit në Vlorë u gjetën 17 mijë euro dhe disa fishekë. Prokuroria ka sekuestruar edhe 3 telefonat celularë të gjyqtarëve dhe i ka dërguar ato për ekspertizë me qëllim zbulimin e kontakteve që mund të kenë patur ata me persona të njohur të Dajtit, të cilët mund të kenë ndikuar në marrjen e një vendimi të tillë. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!