Anulohet përfundimisht Finalisima mes Argjentinës dhe Spanjës, që duhej të zhvillohej në Katar. Lufta në Gjirin Persik detyroi FIFA-n të merrte vendimin zyrtare, ndërsa kampionia e Europës duhej të ndeshej me kampionen e Amerikës Latine
Futbolli vazhdon të mbetet më e rëndësishmja e gjërave të dorës së dytë.
Edhe pse është kthyer në një biznes të madh, dhe në një spektakël që ndiqet nga qindra milionë njerëz në gjithë botën, sërish detyrohet të hapë rrugë përballë fatkeqësive të mëdha të njerëzimit, siç janë epidemitë apo luftërat.
Kështu ndodhi me atë që cilësohet si Finalisima, apo finalja e finaleve, mes kampiones së Europës dhe asaj të Amerikës Latine, që ishte në program për t’u luajtur në 26 mars në Katar.
Vendi që organizoi Kupën e Botës në dimrin e viteve 2022-2023, nuk pati fatin ta priste duelin e shquar mes Spanjës dhe Argjentinës, sepse në Lindjen e Mesme vazhdon konflikti që pas sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit.
FIFA mori vendimin zyrtar dhe përfundimtar dhe nuk bëhet fjalë për shtyrje, por për anulim.
Kjo, sepse jo vetëm që nuk ekzistojnë kushtet për të garantuar sigurinë e Finalisimës, por edhe sepse kalendari është tepër I ngarkuar për kombëtaret dhe ekipet e klubeve.
Jo më kot, sfida Argjentinë-Spanjë ishte parashikuar që në qershor ose korrik të vitit të kaluar, por kalendari sërish nuk e lejoi.
Tashmë, do të duhet të pritet Finalisima e vitit 2030.
Argjentina është kampione e Amerikës Latine në fuqi, pasi mundi 1-0 Kolumbinë në finalen e luajtur në 2024, dhe po ashtu Lionel Mesi me shokë janë kampionë të botës në fuqi, pasi mundën Francën pas penalltive në ndeshjen për titull në Katar.
Spanja është kampione e Europës pas triumfit në Kampionatin e mbajtur në 2024 në Gjermani, ndërsa në finale mundi 2-1 Anglinë.
Argjentina, ndërkaq, është kampionia e parë e Finalisimës, pasi si kampione e Amerikës së Jugut mundi 3-0 në “Uembli” të Londrës Italinë që ishrte shpallur kampione e Europës në 2021.


