Anulohen zgjedhjet në Bolivi, lëshohet urdhër arresti për presidentin Morales

schedule12:33 - 11 Nëntor, 2019

schedule 12:33 - 11 Nëntor, 2019

Pasi dha dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, Evo Morales, tashmë është shpallur në kërkim me akuzën e mashtrimit. Në Bolivi është anuluar i tërë procesi zgjedhor i muajit tetor dhe tashmë vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.

Në një kohë që opozita boliviane feston daljen nga skena të presidentit Morales, i cili dha dorëheqjen pas anulimit të zgjedhjeve të tetorit, prokuroria e përgjithshme e La Paz lëshoi një urdhër arresti për ish kreun e shtetit. Hetuesit konfirmuan hetimet për mashtrim si dhe urdhër arrestet për ish kryetarin e gjykatës elektorale dhe të zëvemdësit të tij.

Në rrugët e kryqytetit të Bolivisë, militantët e opozitës flasin për përfundimin e një diktature dhe akuzojnë liderin indigjen se u arratis përballë rrezikut të një përplasjeje të mundshme. Manifestuesit shprehen se tashmë ndihen të lirë dhe një popull i bashkuar. Por mbështetësit e Morales, përfshirë ish ministren e shëndetësisë, flasin për një përpjekje të paligjshme të policisë për të arrestuar Morales.

Përpara se Presidenti të jepte dorëheqjen, të arsyetuar me përpjekjen për të shmangur përplasje të dhunshme, ishte anuluar i gjithë procesi zgjedhor, u shpërnda komisioni electoral dhe u shpallën zgjedhje të reja. Të gjitha masa këto që nuk i mjaftuan zyrtarëve ushtarakë të cilët publikisht i kërkuan Morales që të largohej menjëherë nga posti i tij.

Nga ana e tij presidenti i rrëzuar, i cili denoncon një grusht shteti, akuzoi liderin e opozitës Luis Ferdinando Kamaho, i cili ka premtuar 50 mijë dollarë për këdo që do të dorëzonte ish kreun e shtetit në duart e policisë.

Me një klimë politike të tensionuar, një apel për shmangien e dhunës u bë dhe nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Guteres, i cili u bëri apel palëve që të kërkonin një zgjidhje politike të konfliktit.

Morales, presidenti i parë indigjen në historinë e kontinentit, qëndroi në pushtet për 15 vjet, dhe mbështeti shtetëzimin e sektroit të hidrokarbureve dhe politikat që i dhanë fund varfërisë për tre milionë bolivianë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!