Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u ka shkruar një letër udhëheqësve të vendeve anëtare përpara mbledhjes së Këshillit Evropian, që do të zhvillohet më 18–19 dhjetor, duke nënvizuar temat kryesore që do të dominojnë diskutimet si mbështetja për Ukrainën, negociatat për Kornizën e re Shumëvjeçare Financiare të Bashkimit Evropian për vitet 2028–2034 dhe zgjerimin e BE-së, sipas https://www.consilium.europa.eu/.
Ai njofton gjithashtu se një ditë më parë, më 17 dhjetor, do të mbahet samiti BE–Ballkani Perëndimor.
”Dua t’ju ftoj në Këshillin tonë Evropian të dhjetorit. Do të zhvillojmë diskutime thelbësore, me një fokus prioritar në dy çështje: Ukraina dhe siguria në kontinentin tonë si dhe korniza financiare shumëvjeçare e Bashkimit Evropian për vitet 2028-2034”, shkruan Costa.
”Pres me padurim t’ju shoh një ditë më parë, të mërkurën, më 17 dhjetor, për samitin BE – Ballkani Perëndimor”, shton ai.
”Do ta fillojmë takimin e Këshillit Evropian me një diskutim rreth Ukrainës. Zhvillimet e fundit nxjerrin në pah nevojën për veprim urgjent të BE-së. Në Këshillin Evropian të tetorit, ne u zotuam të adresojmë nevojat urgjente financiare të Ukrainës për vitet 2026-2027, duke përfshirë përpjekjet e saj ushtarake dhe mbrojtëse. Në takimin tonë të ardhshëm duhet të vendosim, bazuar në punën përgatitore në vazhdim, se si ta zbatojmë këtë angazhim”, thotë Costa.
”Së dyti, do të doja që ne të përqendroheshim në Kornizën Financiare Shumëvjeçare të ardhshme. Presidenca daneze ka avancuar ndjeshëm punën përgatitore. Diskutimet tona do të jenë një rast për të vlerësuar progresin e deritanishëm dhe për të ofruar udhëzime për fazën tjetër të negociatave. Do të jetë e nevojshme punë intensive për të arritur një marrëveshje, deri në fund të vitit 2026, mbi MFF-në e ardhshme dhe financimin e saj. Respektimi i këtij afati kohor është i rëndësishëm”, thekson ai.

