Interi barazoi kundër Fiorentina një ditë më parë, ndërkohë që pas ndeshjes trajneri Antonio Conte ka folur për “Sky Sport Italia”. “Ishte një ndeshje e mirë, me intensitetin e duhur, por nuk shënuam në dy raste që patëm. Nuk kishim fat. Nuk mund të ankohem kur djemtë luajnë me dëshirë. Madje në fund nga dëshira e madhe për të fituar rrezikuam të humbnim”, tha fillimisht Conte.
Më tej ai shtoi: “Fiorentina meriton komplimente për lojën mbrojtëse. Kur lë pikë, gjithmonë ka diçka që nuk shkon mirë. Po mundohemi të zhvillojmë atë instinktin vrasës para portës dhe do të isha i lumtur nëse futbollistët e mi do të jenë zhgënjyer për këtë barazim.
Kjo do tregonte se puna ime po jep fryte. Çdo ndeshje është një provë për të dëshmuar se jemi duke u rritur. Unë mendoj se kjo skuadër nuk ka marrë atë që ka dhënë këtë sezon, përveç sigurimit të Champions League para mbylljes së kampionatit”.
Atalanta ka marrë vendin e dytë dhe trajneri i Interit, me objektivin të siguruar, ka luksin edhe të lëshojë deklaratat të tilla. “Vendi i dytë nuk ka ndonjë kuptim për mua. Është vetëm i pari i humbësve. Disa e duan atë pozicion, por jo unë. Nuk dua të lojtarët e mi të kërkojnë diçka të tillë”, përfundoi Conte. /abcnews.al