Antiberishisti i fundit Lulzim Basha

schedule13:48 - 23 Mars, 2024

schedule 13:48 - 23 Mars, 2024

Nga Skënder Minxhozi

Kur sheh këto kohë vitrinën e politikanëve me të cilët Sali Berisha është në përplasje frontale, në pamje të parë duket sikur Rama është ai që mban kreun e listës. Por pastaj kur vëren sesi kryeministri s’merret fare me Doktorin, teksa ndonjë deputet socialist del si pa dashje në kamera për të kërkuar që Berishës t’i hiqet arresti i shtëpisë si “njeri me kontribute”, atëhere vëren se kjo dyshe po luan në fakt një teatër në distancë për interesa të pastra politike. Ulja në tryezë e ditëve të fundit e bën edhe më të fortë këtë përshtypje, aq më shumë që negociata në fjalë vjen pasi Rama i mbylli derën në fytyrë Bashës në komisionin e reformës elektorale.

Mbetet atëherë në krye të listës së armiqve të Doktorit, antiberishisti më i çuditshëm dhe i pamendueshëm që ka parë ndonjëherë vendi: Lulzim Basha. Më i habitshmi që mund të marrë mbi vetë këtë rol, pasi Lulzim Basha nuk ka lindur antiberishist, ai ka ardhur në jetën politike me destinin e pasuesit dhe pasardhësit të Berishës. Luli është bërë antagonist i ish-shefit të tij nga halli. Fillimisht nga presioni amerikan dhe gjatë rrugës mes tij dhe Berishës armiqësia i ka zënë vendin raportit të ngushtë 15 vjeçar.

Megjithatë i yti mishin ta ha por kockën ta ruan. Luli është një antiberishist i një lloji të veçantë. Përtej heshtjes dhe tërheqjes së dukshme që ka përballë akuzave e sharjeve të përditshme të Doktorit, Luli tregohet i kujdesshëm të mos shkelë aty ku s’duhet kur flitet për të shkuarën e përbashkët. Fjala vjen ai e dëshmoi edhe një herë në 21 janar sesa i mangët e selektiv është në antiberizmin e tij, kur deklaroi se nuk ka firmosur asgjë dhe nuk di asgjë rreth asaj dite dramatike. Për pasojë dhe nuk mund të fajësohet për asgjë. Indirekt e la përgjegjësinë te Berisha, por drejtpërdrejtë nuk arriti të thotë kundër tij as edhe një fjalë të vetme, megjithëse nga 21 janari i vitit 2011 kanë kaluar plot trembëdhjetë vite.

Tani që berishistët i lanë bilbilat e tymueset në shtëpi dhe parlamenti ju kthye normalitetit, tani që nuk do të ketë më karrige të djegura dhe prishje seancash, socialistë dhe rithemelues kanë vënë në rend të ditës marrëveshjet dhe kompromisin. Madje arritën në këtë pikëtakimi ndërsa vendi përkujtonte ngjarjen e Gërdecit (një simbolikë që shumëkujt i kujton rrahjen e shpatullave që Rama i bëri Berishës 16 vjet të shkuara, teksa numëroheshin të vdekurit e tragjedisë)! Kjo paqe e çuditshme që del nga prognoza politike e Lulzim Bashës, i mësuar të konsiderohet si “e vetmja PD zyrtare”, me të gjitha benefitet që rrjedhin nga ky status.

Është normale dhe njerëzore që Luli të ndjehet keq për këtë besëprerje të radhës, megjithëse është mjaftueshëm i vjetër në politikë që të kujtojë se në këto raste vetë besëprerja quhet “pragmatizëm”. E vërteta është se më shumë sesa Rama, Lulzim Bashën po e dënon ligji i numrave. Politikani Basha ka pasur një shans të artë për të mbijetuar në mishmashin që la skedimi i Berishës nga Amerika. Mbeti i vogël kur i kishte të gjitha shanset të bëhej i madh, ose të paktën të mbante një farë peshe në fushën e lojës.

Nëse ai ka sot vetëm 11 nga mbi 60 deputetët opozitarë në Kuvend, kjo vjen sepse ai nuk diti të përfitojë nga momenti. U zhduk nga skena kur duhej të ishte më shumë se kurrë prezent aty, duke kujtuar se përkrahja amerikane do të ishte kartabianka e përjetshme në luftën me Doktorin që do t’i hapte dyert e fatit paavarësisht sesi do të sillej. Refuzimi që i bëri Antoni Blinken gjatë vizitës në Tiranë duket se ka qenë një goditje e vërtetë në zemër për PD zyrtare dhe kreun e saj. Prej nga rrjedh edhe spostimi gradual që Rama i bëri negociatave të tij drejt Rithemelimit. Sepse s’mund të jesh faktor me një grusht deputetësh dhe duke u fshehur pas njerëzve të tu që përpiqen të mbajnë gjallë lëvizjen politike nëpër studiot e debatit televiziv.

Lulzim Basha ka qenë ministër kur ndodhi kompromisi kushtetues mes Berishës dhe Ramës në vitin 2008. Nuk foli asokohe për të njëjtat arsye që sot, Rithemelimi dhe PS po bëjnë kompromis mes tyre: interesi politik e partiak. Basha s’ka pse skandalizohet për dëmet e këtij kompromisi sepse ka qenë edhe vetë pjesë e tij.

Lulzim Basha ka provuar të dalë kundër Berishës këto kohë, duke akuzuar ish shefin e tij dhe kreun socialist Rama se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë përmbysur balancat institucionale duke përqendruar pushtetin në dy palë duar. 16 vjet pasi e votoi, Lulzim Basha po e lexon drejt sot, më në fund, shtrembërimin që ka prodhuar ajo marrëveshje e dikurshme, për të cilën ai nuk ka folur në asnjë rast më parë.

Ndodhemi përballë rastit klasik kur Lulzim Basha sa herë që flitet për të shkuarën e përbashkët me Berishën nuk ka qenë aty, nuk ka dëgjuar gjë dhe nuk ka asnjë faj. Kjo është një sjellje e cila ka mbetur e pandryshuar që nga shtatori 2021, kur ai e “ngriu” Berishën në grupin parlamentar. Eshtë kjo pengesa supreme që e ka penguar Bashën që të krijojë një identitet të tij politik të veçuar nga e shkuara dhe nga Berisha, e që e bën pak të besueshëm tek votuesi i lëkundur që pret të dëgjojë se cilat fytyra djathtas janë të ndryshme nga kryetari 33 vjeçar.

I mbetur vetëm pa mentorin e tij politik, Lulzim Basha po vërteton sot gjithë sa mendohej rreth tij: një politikan i dobët, i mësuar të përfitojë duke ndenjur, më shumë sesa të fitojë me zotësi. Në këtë det të trazuar që është sot politika shqiptare, me sherre, hetime e sfida elektorale ai po shfaq të gjitha dobësitë e tij që datojnë nga dita e parë kur hyri në politikën aktive. Ka shpresën se do të mbetet në fushë kur Rama dhe Berisha të kenë boshatisur zyrën, por me shumë gjasë do t’i bashkohet edhe ai atij karvani. Nuk përfitoi nga konsumi i të tjerëve dhe po konsumohet gjatë rrugës edhe vetë bashkë me ta.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!