Në listën e zgjedhjeve të pranverës do të jetë dhe një parti e re politike, e dalë nga e djathta në vend. Të shtunën zyrtarizohet partia me emrin “Djathtas”, e paralajmëruar që kur Lulzim Basha humbi vulën në qershor.
Grupi nismëtar i kësaj partie të re përbëhet nga deputetë që ishin me Lulzim Bashen, por nuk u pajtuan me të, pasi vendosi sërish të luftojë në gjykatë për të rimarrë vulën e PD.
Deputetët Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Flutura Açka, Selaudin Jakupllari apo të tjerë si Ervin Kulluri e Rezart Kthupi, janë pjesë e këtij grupimi të ri politik, që vendosen të mos bashkohen as me Berishën, kur disa kolegë të tyre deklaruan se do të rrinë tek PD.
Nga vetë emri i zgjedhur prej tyre, ky grupim do të synojë elektoratin e djathtë, e që nuk gjen përfaqësim as tek Berisha, e as tek Basha, që pret nga Gjykata e Larta të shqyrtojë rekursin e tij, për të qartësuar të ardhmen e vet politike. Megjithatë vet Basha prezantohet si kryetar i PD-Demokratëve Euroatlantik.