Nga Ervin Qafmolla
Rrjedhja e dy databazave me të dhëna personale të qytetarëve në harkun e një viti, e rrezikshme dhe e pakëndshme, mund të jetë një akt i paorkestruar dhe i ekzekutuar me vullnet politik por jo domosdoshmërisht partiak.
Imagjinoni teknikun e heshtur, gjithë ditën i përfshirë në veprime mekanike që i shërbejnë një establishmenti të caktuar. Një prej nesh, punëtor i papërfillshëm i strukturave pa shpirt të njërit prej sistemeve që qeverisin jetët tona; pak introvert, pa sens humori, me një prani të padukshme për drejtimin e strukturës apo në sytë e kolegëve më të zëshëm. Le t’i japim një emër sa për lehtësi refemimi: Engelbert (por mund të jetë edhe Gertrudë).
Kështu, Engelberti ynë i dashur dhe gjerësisht i shpërfillur, ka parë ëndrrat dhe aspiratat e veta normale për një vend normal, t’i shndërrohen në deluzione në këtë vendin tjetër që nuk është normal.
Tashmë pishman që është riprodhuar duke u bërë baba, në një martesë të vakët, në një rreth familjar përgjithësisht të zhgënjyer që ai nuk arriti të bëhet – fjala që bie – doganier, ai vajton në mënyrë të pavetëdijshme ekzistencën e tij gati rastësore në këtë realitet të skalitur në pandjeshmëri dhe cinizëm, ku njerëzorja vështirë se arrin të evoluojë dhe të ngrihet mbi proceset biologjike.
Engelberti punon në një njësi ndërqeveritare, ekstraligjore, mbidemokratike, e cila pezullon në tehun mes interesit publik nga njëra anë, dhe interesit partiak-konjuktural, në tjetrën.
Ai është një nga dhjetëra specialistët e strukturës që mbledh informata me funksion publik dhe i ripaketon ato për interesa të tjera më pak se publike. Dhe përpunon jo vetëm të dhënat e qytetarëve, por edhe detaje të ndjeshme biznesi, përfshi investime, aksione, kredi, hasmëri, miqësi, dashnore dhe dashnorë.
Çdo ditë, ai sheh sesi forcohet establishmenti, sesi fuqizohet kultura antiqytetare. Çdo ditë ai vëzhgon sesi frytet e punës së tij velin më të pasurit dhe skamnojnë edhe më shumë të varfrit.
Engelberti, në mënyrë të nënvetëdijshme, fillon të zhvillojë një ndjenjë faji, por edhe një sens përgjegjësie qytetare.
Pak më thellë, pak para se ashensori të zbresë në bodrumet e Hadit, fiks aty ku gjallon e pavetëdijshmja, ai nis të kultivojë një fetish heroik. Por në epokën e ironisë kozmike, rezultantja është arketipi i antiheroit, i cili nuk është personazhi i keq në tregim, por kampioni i pagjasë që rreket të arrijë qëllimin e mirë përmes metodave të diskutueshme.
Ndaj dhe zgjedh të rrjedhë gjithçka. Në fund të fundit, informacioni është pushtet, dhe i kufizuar në pak duar, përmbajtja kaq e ndjeshme që ai trajton, veçse kontribuon në monopolizimin e dijeve të errëta dhe në fuqizimin e përjetshëm të pushteteve që qeverisin jetët e të gjithëve.
Asnjë mëkat nuk sheh ai te kjo rrjedhje, në dukje skandaloze. Punonjësit e kompanive celulare ua shesin ilegalisht të dhënat e klientëve – bankave, bankat – kompanive të shërbimeve, kompanitë e tilla – agjencive të reklamës, këto të fundit i përpunojnë në vese dhe ua shesin egos së individit fillestar. Ai e di që kështu funksionon.
Kompanitë i dinë pagat e punonjësve të kompanive të tjera, në mënyrë që të dinë nëse apo si t’i rekrutojnë. Partitë ta dinë edhe numrin e këmbës. Pronarët dhe qeveritarët dinë gjithçka.
Përse kjo dije – një armë e manipulimit në masë – të mbesë në kaq pak duar të privilegjuara dhe të mos liberalizohet për të gjithë? Përse të mos identifikohen kodoshët e aferave, spiunët e shefave, dashnorët e drejtorëve që rrinë kot, prostitutat e regjimeve, besnikët e despotëve? – pyet ai.
Përse? Përse? Përse? Pavarësisht dëmit (mendon ai si çdo hero-kriminel) përfitimet janë më të mëdha sesa pasojat. Çfarë do të rrjedhë për të gjithë – sado e pakëndshme – nuk është tjetër përpos çka pikon për pak.
I shfrytëzuar dhe i zhgënjyer, i nënpaguar dhe/apo i painformuar që të ketë qasje në ndihmë të specializuar, qoftë edhe psikologjike, Engelberti zgjedh t’i barazojë të gjithë në një urgan informacioni delikat, pavarësisht viktimave dhe shpërfillës ndaj vrojtimeve etike. Keqbërjen e vet të kudoshtrirë ndaj të shumtëve, nuk arrin ta shohë, apo ndoshta e sheh dhe e relativizon, duke e përligjur me keqbërjen monopoliste të një pakice të privilegjuarish.
Në fund të fundit, pse të mos ketë më shumë llogaridhënie dhe kërkesë për barazi?
Kështu, në mënyrë të pavetëdijshme, dhe duke shkaktuar dëm real ndaj shumëkujt, ai megjithatë, ka arritur të kontribuojë tek imagjinata e një sistemi pa sekrete, e një Utopie të Transparencës Absolute. Si pionier kontrovers i ‘hacking culture’, njëherësh luftëtar i diskutueshëm i Anonimous, ai vazhdon të pyesë me ton hakmarrës: Përse? Përse? Përse?
Ndaj, le të shtypet butoni i kuq. Të hapen portat e digës. Të vërshojnë Nili, Amazona, Jangceja dhe Misisipi.
Të tërhuzen Tigri dhe Eufrati nga Titanikët e sekreteve dhe spekulimeve për secilin dhe për të gjithë. Le të gufojnë simfonitë e brirëve të apokalipsit që janë kambanat e oligarkisë dhe zilet e biçikletave të opingagrisurve mjeranë.
Le të kultivohet urrejtja për Fetishin e Lidershipit Absolut dhe të mëkohet Kulti i Përgjegjësisë Universale.
Të këndohen liturgjitë e librave më të shenjtë që janë sonetet e profetëve dhe kuranët e poetëve. Dhe në fund fare, le të kujtohet me një qiri që era do ta shuajë, edhe Federico García Lorca:
“Ndërkohë që, ndërkohë që, ah!, ndërkohë që,
negrit që zbrazin pështymoret,
djemtë që shtangen para terrorit të zbehtë të drejtorëve,
vashat e mbytura në vajra minerale,
masat e çekiçit, violinës apo resë,
duhet të ulërijnë edhe sikur trutë t’u zgërlaqen në mur,
të ulërijnë para kupolave,
të ulërijnë të çmendur nga zjarri,
të ulërijnë të çmendur nga bora,
të ulërijnë me kokët plot mut,
të ulërijnë si të gjitha netët bashkë,
të ulërijnë me një zë kaq ngjethës,
sa qytetet të dridhen si vajza të vogla
dhe të shembin burgjet e vajit dhe muzikës,
sepse ne kërkojmë bukën tonë të përditshme,
drurë në lulëzim dhe vjelje brishtësie të përhershme,
sepse ne kërkojmë vullnetin e Tokës të kryhet,
që frytet i jep për të gjithë.”
[Ps: Mirëmbetsh Engelbert, dhe kujdesu për veten.]
/abcnews.al/