Ankara-Athinë, tensione për detin Egje

schedule23:45 - 20 Prill, 2019

schedule 23:45 - 20 Prill, 2019

Turqia kërkon që Greqia të demilitarizojë disa prej ishujve grekë në pjesën lindore të detit Egje. Deklarata e ministrit turk të mbrojtjes, Hulusi Akarar, ka shkaktuar reagime në Athinë.

Ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar, ka akuzuar Greqinë se shkel konventat ndërkombëtare lidhur me statusin e ishujve të detit Egje.

“Greqia shkel të drejtën ndërkombëtare me armatimin e ishujve të Egjeut, që janë vendosur nën një regjim të demilitarizuar”, deklaroi Akar për agjencinë zyrtare vendase, Anadolu Ajans.

“Athina duhet t’i ndërpresë këto shkelje që bien ndesh me konventat dhe nuk përputhem me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të miqësisë. Statusi i demilitarizuar i këtyre ishujve duhet të mbrohet dhe të vazhdojë”, shtoi ministri turk i mbrojtjes.

Akar shtoi gjithashtu se “pres nga homologu im grek, që të marrë masat e domosdoshme për këtë çështje në kuadër të raporteve tona të sinqerta, konstruktive dhe të mira”.

Turqia i mbështet pretendimet e saj në konventën e paqes të Lozanës, të vitit 1923.

Mirëpo Athina zyrtare përgjigjet se militarizimi i ishujve të Egjeut Lindor është vendosur me një sërë marrëveshjes ndërkombëtare të mëvonshme.

Ministri grek i mbrojtjes, Evangelos Apostolakis, ka komentuar se pretendimet e Turqisë nuk kanë asnjë bazë ligjore.

Ndërsa ministria e jashtme në Athinë reagoi me një deklaratë për shtyp.

“Shtrimi i çështjeve të tilla nga pala turke, madje në momentin që kërcënon me luftë, nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve që Greqia mëton të kultivojë me gjithë vendet fqinje”, thuhet në deklaratë.

“Turqia të respektojë edhe të drejtën ndërkombëtare, ashtu siç ajo ka efekt, dhe jo siç e interpreton në mënyrë arbitrare” Ankaraja, përfundon ministria e jashtme greke./abcnews.al