Angela Merkel: Pakti i Minskut bleu kohë për Ukrainën, ja ku gabova me Putinin

schedule22:34 - 28 Dhjetor, 2022

schedule 22:34 - 28 Dhjetor, 2022

Nga Giovanni Di Lorenzo & Tina Hildebrandt “Corriere della Sera”

Zyra e re e Angela Merkelit është e njëjtë me atë të paraardhësit të saj Helmut Kohl si ish-kancelare. Ndodhet në katin e 5-të të një godine anonime të Republikës Demokratike Gjermane, ku banonte Margot Honecker kur ishte Ministre e Arsimit, në Unter den Linden, midis Hotel Adlon dhe ambasadës ruse.

Për intervistën tonë, zgjodhi dhomën e mbledhjeve në të njëjtin kat, e cila ofron një pamje të bukur të Pariser Platz dhe Portës së Brandenburgut. Para fillimit të intervistës fotografët shkrepin me shpejtësi disa foto dhe largohen, sepse Angela Merkelit nuk i pëlqen të fotografohet.

Në vitin 2019 përballë oborrit kancelarisë në Berlin, pikërisht teksa prisnit presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ju nisët të dridheshit papritur. Çfarë ju ndodhi?

Ishte një moment i vështirë. Ndoshta kisha pasur shumë tension. Nëna ime sapo kishte vdekur dhe unë kisha pasur shumë pak kohë për t’u kujdesur për të në javët e fundit të jetës. Po ashtu ishte shumë nxehtë dhe si gjithmonë lentet e kamerave drejtoheshin tek unë si tyta armësh. Papritur më ngjallën ndjenjën e të qenit tërësisht e ekspozuar.

Mandatet tuaja si kancelare u karakterizuan fort nga një çështje që u shfaq relativisht vonë: politika e refugjatëve në shtator 2015. Në lidhje me kritikat e bëra ndaj jush në lidhje me pasojat e politikës suaj liberale, ju deklaruat: “Nëse tani do të nisim të kërkojmë falje edhe pse po tregojmë një fytyrë njerëzore në situata emergjente, atëherë ky nuk është më vendi im”. Shumë njerëz e kanë gjykuar si autoritar dhe diskriminues atë qëndrimin. Disave iu krijua përshtypja se ju morët të drejtën për të vendosur se si duhet të ishte vendi…

Kur e thashë atë fjali, po mendoja veçanërisht për njerëzit që kishin pritur refugjatët në stacionin e Mynihut. Vendimin tim për të lejuar hyrjen e refugjatëve në vendin tonë e pashë në përputhje me të drejtat dhe vlerat tona themelore. Dhe me atë fjali doja të nënvizoja pikërisht këto vlera themelore.

A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se me politikën tuaj keni kontribuar në fakt në ndarjen e vendit tuaj?

Sigurisht që e kam menduar. Sigurisht, nga pikëpamja politike, është gjithmonë mirë kur 90 për qind e njerëzve janë të të njëjtit mendim. Madje është akoma më mirë nëse ky është edhe mendimi im. Megjithatë, ka situata ku mosmarrëveshjet nuk mund të shmangen. Unë ndihmova njerëzit që trokitën në derën tonë. Po ashtu me marrëveshjen BE-Turqi, ndihmova në adresimin e shkaqeve rrënjësore të asaj vale refugjatësh”.

Gjatë mandatit tuaj, numri i krizave dhe njëkohshmëria e tyre u rrit vit pas viti…

Mesa kujtoj dy vitet e para ishin shumë të qeta, pastaj filloi kriza financiare globale, kriza e euros, dhe të dhënat mbi ndryshimet e klimës u përkeqësuan. Megjithatë, krizat janë normale në botën tonë. Ne kemi jetuar vetëm disa vite jashtë normës.

Çfarë do t`u thoni atyre që mendojnë se ju nuk u kufizuat vetëm në menaxhimin e krizave, por pjesërisht i shkaktuat ato?

Marrim luftën kundër ndryshimit të klimës, në të cilën Gjermania ka bërë shumë në krahasim me vendet e tjera. Unë e pranoj se gjithsesi nuk ishte e mjaftueshme. Apo le të shohim politikën time ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Vendimet e mia i mora në atë kohë duke ndjekur një logjikë që ende më duket e arsyeshme. Ishte një përpjekje për të parandaluar një luftë si kjo që po shohim. Fakti që nuk ia dola nuk do të thotë se ishte gabim që provova..

Gjithsesi sjellja juaj në ato rrethana gjykohet sot si e gabuar, duke pasur parasysh rezultate…

Është e vërtetë. Por është gjithashtu e nevojshme të thuhet se cilat ishin saktësisht alternativat në atë kohë. Mendoj se diskutimi për një anëtarësim të mundshëm në NATO të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në vitin 2008, ishte i gabuar. Të dy vendet nuk i plotësonin kushtet, dhe për më tepër nuk pati asnjë reflektim të plotë se çfarë pasojash do të kishte një vendim i tillë, si përsa i përket reagimit të Rusisë kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës, po ashtu edhe për NATO-n. Edhe Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 ishin një përpjekje për t’i dhënë kohë Ukrainës. Ukraina e përdori atë kohë për t’u bërë më e fortë, siç po shihet edhe sot.

Në daljen e tuaj të parë publike pas lënies së detyrës si kancelare, deklaruat se e kishit kuptuar që në vitin 2007 se çfarë mendonte Putin për Evropën, dhe se e vetmja gjuhë që kupton ai është forca. Nëse e kishit këtë vetëdije kaq herët, pse ndoqët një politikë energjetike e cila e bëri Gjermaninë kaq shumë të varur nga Rusia?

Ne të gjithë e dinim se ishte një konflikt i ngrirë, se problemi nuk u zgjidh. Por ajo i dha Ukrainës një kohë të çmuar. Sigurisht, sot mund të pyetet se pse u miratua ndërtimi i gazsjellësit “Nord Stream 2” në një situatë të tillë.

Pse? Aq më tepër që edhe në atë kohë ndaj tij kishte kritika të ashpra, për shembull nga Polonia dhe SHBA.

Po, mendimet ishin kontradiktore. Për çfarë bëhej fjalë? Nga njëra anë, Ukraina e konsideroi shumë të rëndësishme ruajtjen e rolit të saj si vend tranziti për gazin rus. Kievi donte që gazi të kalonte përmes territorit të tij dhe jo përmes Detit Baltik. Sot duket se çdo molekulë e gazit rus është e mallkuar.

Por nuk ishte kështu atëherë. Nga ana tjetër, nuk ka qenë Gjermania ajo që kërkoi autorizimin për “Nord Stream 2”, por kompanitë. Për qeverinë dhe për mua ishte çështja e vendosjes nëse si një akt politik, do të shpallej apo jo një ligj i ri për të mohuar autorizimin e “Nord Stream2”.

Çfarë ju pengoi?

Para së gjithash, fakti që një refuzim, i kombinuar me Marrëveshjet e Minskut, do të përkeqësonte marrëdhëniet me Rusinë. Nga ana tjetër, varësia energjetike u krijua sepse në Gjermani po vinte më pak gaz nga Holanda dhe Britania e Madhe, dhe sasitë e nxjerra në Norvegji ishin të kufizuara.

Dhe pastaj ishte heqja dorë nga energjia bërthamore, gjithashtu e kërkuar nga ju?

Kjo u mor bashkë me vendimin konsensual të të gjitha forcave politike, për të nxjerrë më pak gaz edhe në Gjermani. Gazi natyror i lëngshëm më i shtrenjtë do të duhej të blihej nga Katari ose Arabia Saudite; ndërsa mundësia e importimit të tij nga Shtetet e Bashkuara u shfaq vetëm më vonë. Një vendim i tillë do të kishte kompromentuar ndjeshëm konkurrencën tonë. Sot veprohet nën presionin e luftës, të cilin unë e miratoj, por që në atë kohë do të ishte një vendim politik shumë më i rëndë.

A do ta merrnit ende atë vendim?

Jo, sepse nuk do të kishte gjetur konsensus.

Marrë me shkurtime

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!