Anëtarësimi në BE, Cakaj takim me Ministrin e Jashtëm grek: Përmbushja e objektivave për çeljen e negociatave

schedule09:41 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 09:41 - 10 Dhjetor, 2019

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Ky takim kishte në fokus diskutime mbi ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, me theks të veçantë në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018 për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE pas miratimit të metodologjisë së re të negocimit.

Gjithashtu, të dy homologët diskutuan edhe për një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.

Në një reagim në Facebook Cakaj shprehu mirënjohjen e veçantë për mbështetjen e pakursyer të Greqisë për Shqipërinë që prej orëve të para të pas termetit e deri tani që po vazhdon me përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete./abcnews.al