Andre Onana: Interi është një familje për mua, i trishtuar që u largova

schedule09:33 - 19 Korrik, 2023

schedule 09:33 - 19 Korrik, 2023

Andre Onana është portieri më i ri i Manchester United tashmë. Kamerunasi largohet nga Interi duke i mbushur arkat klubit nga shitja e tij, por gjithsesi ka shumë keqardhje mes tifozëve me të cilët kishte krijuar një marrëdhënie fantastike.

“Dua të rifilloj me ekipin tim të ri, por një pjesë e zemrës time është e trishtuar. Të largohesh nga Interi do të thotë të largohesh nga një familje, jo nga një ekip normal. E kuptova që të jesh me Interin është një mënyrë për të qenë në botë, për të jetuar jetën”, tha ai.

Gjatë intervistës për “Gazzetta dello Sport”, Onana shpjegoi arsyen e kësaj ndarjeje.

“E rëndësishme është të jesh i sinqertë dhe gjithmonë t’u thuash njerëzve të vërtetën. Unë jam një person që dua gjithmonë sfida të reja. Të luash në Premier League dhe për një klub si United është e parezistueshme. Të gjitha palët donin që kjo të ndodhte, por ajo që ka rëndësi është se nëse do të kisha qëndruar do të isha po aq i lumtur sepse nuk kam pasur kurrë probleme me Interin.

Në Milano lindi një magji që është pothuajse e vështirë për t’u shpjeguar. Tani është koha për të thënë lamtumirë dhe faleminderit. Faleminderit është fjala që dua të përdor, ua them të gjithë punonjësve të Pinetinës dhe të kompanisë, menaxherët, presidenti, trajneri, shokët e ekipit. Por mbi të gjitha tifozëve, ndjeva se ata më donin vërtetë. Kam luajtur me Interin për një vit, por do të jem një interist gjithmonë. Jeta është e paparashikueshme, ndoshta një ditë do të kthehem sërish.

Ndërkohë, nuk do të pushoj së kënduari atë refrenin që më pëlqen shumë: “Për gjithë ato kilometra që kam bërë me ty, Inter duhet të fitojë…””, ka përfunduar Onana./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!