Carlo Ancelotti është zyrtarisht trajneri i ri Everton. Trajneri italian ka firmosur një kontratë deri në verën e vitit 2024 me klubi nga Liverpool. “Jemi të lumtur të zyrtarizojmë Ancelottin si menaxherin e ri të klubit. Ai firmosi një kontratë 4.5-vjeçare që do të zgjasë deri në fund të sezonit 2023-2024“, lexohet në komunikatën e klubit anglez.
Bëhet fjalë për një rikthim të trajnerit të njohur në kampionatin anglez, aty ku ka drejtuar Chelsea në vitet 2009-2011. Ky është ekipi i dhjetë që do të drejtojë në karrierë 60-vjeçari, i cili është një ndër trajnerët më fitues të botës së futbollit.
Carlo Ancelotti u shkarkua nga Napoli mbrëmjen e 10 dhjetorit. Fitorja 4-0 kundër Genk dhe kualifikimi në Champions League, nuk zbutën tërbimin e presidentit De Laurentiis, teksa është e vështirë të gjesh ndonjë rast shkarkimi pas një fitore me “poker”. Pushimet e trajnerit të famshëm italian zgjatën pak dhe tani është gati të nisë aventurën e radhës në karrierë. /abcnews.al
? | Introducing the new manager of Everton Football Club, @MrAncelotti! #WelcomeMrAncelotti pic.twitter.com/zNNoix8H5R
— Everton (@Everton) December 21, 2019