Carlo Ancelotti u rikthye pas tetë vitesh në Premier League dhe firmosi një kontratë 4.5-vjeçare me Everton. Trajneri i njohur ndihet entuziast për nisjen e aventurës së re. Ky është ekipi i dhjetë në karrierën e italianit, i cili ka ambicie të mëdha.
60-vjeçari ka thënë fjalët e para si trajneri i ekipit nga Liverpool, teksa shpreson dhe beson të dërgojë Evertonin te fitimi i trofeve. Projekti i klubit e magjeps, teksa nuk i kursen fjalët e mira për Duncan Ferguson, skocezin që drejtoi ekipin në tre ndeshjet e fundit.
“Everton është një klub i madh me një histori të pasur dhe tifozë pasionantë. Klubi ka një vizion të qartë për të ardhmen dhe dëshiron të fitojë trofe. Ky projekt më magjeps dhe jam entuziast që do të kem mundësi për të shndërruar në realitet këtë vizion. I kam parë ndeshjet e fundit dhe ekipi ka lojtarë të fortë, Ferguson ka merita të mëdha, jam i lumtur që do të jetë pjesë e stafit tim“, përfundon trajneri italian. /abcnews.al