Carlo Ancelotti e filloi me fitore aventurën e dytë në stolin e Real Madrid. Ekipi kryeqytetas fitoi 1-4 në fushën e Alaves, takim i javës së parë në LaLiga. Karim Benzema realizoi një dygolësh, teksa suksesi me “poker” u kompletua nga Nacho dhe Vinicius Junior.
Trajneri italian është i kënaqur me ndeshjen dhe fitoren e parë në kampionat, teksa analizoi për mediet triumfin me “poker” në transfertë. “Ndjesitë janë të mira, fituam një ndeshje të komplikuar në pjesën e parë, por që shkoi shumë më mirë në të dytën.
Në pjesën e parë ishim disi të ngathët dhe pak agresivë, por në këtë fazë të sezonit mund të ndodhë. Disa prej lojtarëve janë stërvitur shumë pak me ne, ky është problemi i vetëm. Sa i përket pjesës tjetër, gjithçka shkoi shumë mirë.
Ekipi u impenjua dhe luftoi nga minuta e parë në të fundit, zhvilluam një pjesë të dytë shumë të mirë dhe mendoj se e merituam plotësisht fitoren“, deklaroi Carlo Ancelotti, njeriu që fitoi “La Decima” me Real Madrid. /abcnews.al