Ancelotti: Kam qenë interist! Ibra si “jackpot”, Conte ndërton skuadra fituese

schedule10:07 - 16 Tetor, 2020

schedule 10:07 - 16 Tetor, 2020

Carlo Ancelotti është i lidhur ngushtë me Milanin, pasi ka arritur të fitojë shumë si lojtar dhe trajner. Gjithsesi ai nuk ngurron ta pranojë se i vogël ishte me rivalët e qytetit. “Si fëmijë isha interist, pasi u magjepsa nga ekipi i Helenio Herrera.

Ata më dhanë mua një fanellë të Sandro Mazzola dhe në ato kohë ishte diçka shumë e rrallë. Milani, sidoqoftë, është klubi që ka lënë shenjë në jetën time, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner”, tregon Ancelotti në intervistën e dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.

Derbi i kryeqytetit është në prag dhe trajneri aktual i Everton flet për shumë çështje në intervistën e dhënë. Trajnerët Pioli e Conte kalojnë në sitë, sikurse edhe legjenda Paolo Maldini. Një koment edhe për Zlatan Ibrahimovic, ndërkohë që ka vlerësim maksimal edhe për Romelu Lukaku.

STAFET – “Milani po bën mirë, Pioli dhe Maldini kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në 6 muajt e fundit. Kurrë nuk kam pasur dyshime mbi cilësitë e Maldinit si një drejtor futbollit. Kur je një njeri i mirë, nuk mund të bësh keq. Eksperienca është e rëndësishme, por ju mund ta merrni atë.  Stefano Pioli është një person me vlera, si njeri dhe si trajner. CV-ja e tij flet vetë, pasi ka arritur rezultate të shkëlqyera në çdo ekip që ka qenë.

Interi është përforcuar gjatë verës. Ata mund të thyejnë dominimin e Interit. Mendoj se ky është sezoni më i pasigurt i dekadës së fundit. Conte është një profesionist i shkëlqyer. Ndonjëherë flasim në telefon, ai ka një dëshirë të madhe për të përmirësuar dhe për të zgjeruar njohuritë e tij në futboll. Njerëz si ai i bëjnë skuadrat të fitojnë”, shprehet trajneri italian.

SULMUESIT – “Ibra është Ibra. Kur ju gjeni një futbollist si ai, ju keni kapur ‘jackpot’-in. Motivimi dhe krenaria kanë qenë gjithmonë forca e tij, ai është një profesionist i jashtëzakonshëm”, deklaron Ancelotti kur pyetet për sulmuesin suedez, ndërkohë që i kërkohet një mendim edhe për belgun e Interit.

“Lukaku te Everton ka lënë kujtime të mira. Çdo njeri flet shumë mirë për të. Nuk e njoh atë, por nga ajo që kam parë më duket një lojtar me personalitet dhe karakter. Ai është një qendërsulmues modern, shënon shumë gola dhe bën një punë të madhe për ekipin”, mbyll trajneri i njohur, i cili ka drejtuar edhe klube të tjera të mëdha si Juventus, PSG, Real Madrid e Bayern Munich. /abcnews.al