Ancelotti beson te “gardiani” belg: Courtois do të luajë ndaj Borussia Dortmund

schedule18:56 - 31 Maj, 2024

schedule 18:56 - 31 Maj, 2024

Është hera e parë, që këto dy ekipe përplasen në finale. “Verdhezinjtë” e Borussia Dortmund do të sfidojnë mbrëmjen e së shtunës, në mitikun e Londrës, “Wembley”, “padronët” e UEFA Champions Leauge, Real Madrid, në finalen e madhe të këtij kompeticioni, më të rëndësishëm për klube në Evropë.

Siç e do “zakoni”, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, nga ku tekniku, Carlo Ancelotti fillimisht foli për skuadrën e tij, ku ndër të tjera vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e “Galaktikëve”, dhe evidentoi edhe disa momente kyç të ecurisë së 14 herë fituesve të këtij kompeticioni.

“Në finale mbërrijnë vetëm dy skuadra dhe fakti që jemi ne dhe Dortmundi, do ët thotë që e kemi merituar më shumë se kushdo tjetër. Jam shumë krenar për rrugëtimin e djemve të mi dhe atë që kemi dhënë. Dua të veçoj si shumë të rëndësishme shpirtin e sakrificës që treguam ndaj Manchester City dhe përmbysjen eklipsuese ndaj Bayern Munich. Është jashtëzakonisht motivuese të përgatisësh sfida të tilla”,- u shpreh trajneri italian.

Më tej, gjatë konferencës “Don Carlo” ka analizuar edhe finalen e madhe të së shtunës, ndaj Borussia Dortmund, teksa ka shuar edhe dilemën mbi portierin që do të luajë nga minuta e parë, duke i besuar eksperiencës së belgut Thibaut Courtois, i cili vjen pas një dëmtimi të gjatë.

“Finalja ndaj Dortmund do të jetë e bukur, por në fund do të vendoset nga detajet e vogla, ndaj duhet të ruajmë qetësinë për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur. Jemi të emocionuar dhe të frikësuar, pasi jemi shumë pranë suksesit dhe nuk duam të dështojmë. Megjithatë kjo lloj frike është pozitive, pasi të ndihmon të japësh më shumë dhe të bësh gjërat më mirë. Në portë, në finale do të luajë Courtois. E kemi marrë vendimin”,- u shpreh Ancelotti. /i.m /abcnews.al