Carlo Ancelotti e nisi me fitore aventurën e dytë si trajner i Real Madrid. Ekipi spanjoll fitoi 1-4 në fushën e Alaves në fundjavë, duke marrë tre pikë në duelin e parë të sezonit të ri në LaLiga.
Dy nga golat i realizoi Karim Benzema, i cili konfirmohet lideri i repartit ofensiv të “Los Blancos”. Ancelotti e vlerëson shumë rritjen dhe pjekjen e 33-vjeçarit francez, i cili sot është një goleador më i kompletuar se më parë.
“Benzema është një finalizues i shkëlqyer, por ka edhe aftësinë për të lexuar shumë mirë ndeshjen. Ai shkëputet mirë, lëviz mes linjave dhe ndihmon në qarkullimin dhe zotërimin e topit.
Ta cilësosh thjesht dhe vetëm një sulmues më duket pak, Karim është një futbollist i kompletuar, me një personalitet të madh.
Nëse do më duhet ta krahasoj me lojtarin që ishte pesë vite më parë kur isha trajner i Realit, mund të them që ai është lojtar më i kompletuar dhe me më shumë personalitet“, deklaroi trajneri italian. /abcnews.al