Nga Hergi Llupi
Ditën e dielë, më datë 5 shkurt, në orën 20:45, do të luhet derbi i 178-të i Milanos në Serie A.
Zikaltërit do të presin në San Siro kushërinjtë e tyre të cilët ndodhen në një moment katastrofik, por që ëndërrojnë një fitore të tretë radhazi në derbin e Milanos në Serie A. Ideja e Simone Inzaghit do të jetë të ngrihet si raketë për të përfituar nga momenti i keq i Milanit.
Për ta bërë këtë gjë, ai do të mbështetet te kapiteni i ri i ekipit, Lautaro Martinez. Argjentinasi kur ndeshet ndaj Milanit kthehet në një “dem” të tërbuar për të shënuar. Gjashtë gola të shënuar ndaj Milanit. Për Lautaron do të jetë një mundësi për t’u afruar edhe më shumë me golashënuesin e huaj më të mirë në historinë e Interit në derbi, që është hungarezi Nyers me 11 gola.
Edhe Pioli e ka një kampion në skuadër, Olivier Giroud ka shënuar në të dy sezonet e tij të para në dy derbi, tre gola në total dhe asnjë lojtar i kuqezinjve nuk e ka gjetur kurrë golin në të tre ndeshjet e tij të para kundër zikaltërve në Serie A.
Duke pasur parasysh vështirësitë e Milanit, shumë e konsiderojnë Interin si favorit, edhe pse në derbi nuk i dihet kurrë se cili do të jetë fituesi.Në këtë sezon, Interi ka pësuar vetëm pesë gola në shtëpi, askush nuk ka bërë më mirë. Nga ana tjetër, Milani ka vendosur rekordin absolut negativ të golave të pësuar në një muaj të vetëm, 18 gola të pësuar në janar.
Është gjithashtu e vërtetë që zikaltërit kanë humbur dy derbit e tyre të fundit në shtëpi në ligën italiane dhe kuqezinjtë, për herë të parë që nga sezoni 2010/2011, mund të fitojnë të dyja ndeshjet e derbit në një sezon të vetëm në Serie A.
Interi në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, ka marrë 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Ndërsa Milani, ka regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje tepër të thella, me 9 gola të pësuar në të dyja humbjet drastike. Ndaj Lazios 4-0 dhe ndaj Sassuolos 5-2.
Interi do të startojë në portë me Onanën, portierin e padiskutueshëm titullar i cili ndodhet në një formë shumë të mirë. Në mbrojtje do të rikthehet Milan Skriniar, pa shiritin e kapitenit në krahë, pasi sllovaku do t’i thotë lamtumirë zikaltërve në fund të sezonit dhe do të transferohet me parametra zero te PSG. Për Skriniarin do të jetë një derbi me shumë emocione, pasi ai do të ndjejë edhe presionin e lartë të tifozerisë së tij, të cilët janë të zhgënjyer nga vendimi i sllovakut për t’u larguar. Partner në mbrojtje do të ketë Acerbin dhe Bastonin, edhe pse Inzaghi mund të hedh në fushë nga minuta e parë De Vrij.
Mesfusha me 5 lojtarë. Dumfries dhe DiMarco në krahët e fushës, Barella-Brozovic-Calhanoglu priten të jenë në qendër të mesfushës, edhe pse kroati është në dyshim pasi sapo është rikuperuar. Sulmi nuk ka shum dyshime, Lautaro Martinez me shiritin e kapitenit dhe Dzeko në krye.
Nga ana tjetër, Milan do të jetë me Tatarusanu në portë, Theo dhe Calabria në krahët e mbrojtjes dhe në qendër, Kalulu me Kjaer. Mesfusha do të përbëhet nga treshja Pobega-Tonali-Krunic. Sulmi pritet të jetë me Leao dhe Saelemaekers në të majtë e në të djathtë, ndërsa në krye Giroud.
Lajmi i mirë për Interin është se janë të gjithë lojtarët në dispozicion të Inzaghit, ndërsa Milani dhe Pioli nuk kanë në dispozicion Ibrahimovic, Florenzin, Maignan, Tomorin, Dest dhe Bennacer. Tomori mund të jetë në stol nëse nuk do të ndjejë shqetësimet e herës së fundit./h.ll/abcnews.al