Analiza/ Mandati i ri i Putinit, një epokë me fuqi të jashtëzakonshme

schedule08:00 - 6 Maj, 2024

schedule 08:00 - 6 Maj, 2024

Vetëm disa muaj para se të bëhet një çerek shekulli si udhëheqës i Rusisë, Vladimir Putin, të martën, më 7 maj, do të vendosë dorën mbi një kopje të Kushtetutës dhe do të nisë një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president me fuqi të jashtëzakonshme.

Që kur u bë president në detyrë në ditën e fundit të vitit 1999, Putin e ka formësuar Rusinë në një monolit – duke shtypur opozitën politike, duke dëbuar nga shteti gazetarët e pavarur dhe duke promovuar një përkushtim në rritje ndaj “vlerave tradicionale” që shumë pjesëtarë të shoqërisë i shtyjnë në limite.

Ndikimi i tij është aq dominues sa zyrtarët e tjerë qëndruan jashtë vendimmarrjes kur ai vendosi të niste luftën kundër Ukrainës, pavarësisht pritjeve se pushtimi i shtetit fqinj do të sillte përbuzje ndërkombëtare dhe sanksione të ashpra ekonomike, si dhe që Rusia do të paguante çmim të lartë me gjakun e ushtarëve të saj.

Me këtë nivel pushteti, çfarë do të bëjë Putini me mandatin e tij të ri është pyetja më e rëndësishme që bëhet brenda Rusisë dhe jashtë saj.

Lufta në Ukrainë, ku Rusia po shënon përparim në fushëbetejë, është shqetësimi kryesor dhe Putini nuk po shfaq asnjë shenjë se do të ketë ndryshim të kahes.

“Lufta në Ukrainë është në qendër të projektit aktual politik të tij dhe nuk shoh asgjë që sugjeron se kjo do të ndryshojë. Dhe kjo ndikon te të gjitha gjërat e tjera”, tha për Associated Press, Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse dhe autor i librit “Kodi i Putinizmit”.

“Ndikon se kush është në çfarë pozicioni, ndikon në burimet që janë të disponueshme dhe ndikon në ekonomi si dhe në nivelin e represionit brenda shtetit”, shtoi ai.

Gjatë fjalimit drejtuar kombit të mbajtur në shkurt, Putin u zotua se do të përmbushë synimet e Moskës në Ukrainë dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme “për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe sigurinë e qytetarëve tanë”. Ai pretendoi se ushtria ruse “ka fituar përvojë të madhe luftarake” dhe “ka iniciativën si dhe po kryen ofensiva në një numër sektorësh”.
Por, lufta ka çmim të lartë dhe paratë dedikuar luftës mund të shpenzoheshin për projekte të tjera brenda shtetit dhe në reformat në arsim, mirëqenie e luftë kundër varfërisë, tema që Putini i përdori si pjesë të fjalimit të tij prej dy orësh dhe këto probleme ai i shtjelloi në detaje.

Taylor sugjeroi se projekte të tilla u përfshin në fjalimin e Putinit vetëm sa për “show”, dhe ato nuk pritet të zbatohen.

Putin “e mendon veten në terma të mëdhenj historikë të tokave ruse, duke e rikthyer Ukrainën aty ku e ka vendin, pra ka këso lloje idesh. Dhe unë mendoj se këto ide janë përtej programeve të tipit socio-ekonomik”, tha Taylor.
Nëse lufta do të përfundonte me humbjen e plotë nga cilado palë, me Rusinë që do të mund të ruante një pjesë të territorit që ka pushtuar tashmë, vendet evropiane kanë frikë se Putini mund të inkurajohet drejt aventurizmit të mëtejmë ushtarak në Baltik apo në Poloni.

“Ka mundësi që Putini ka ambicie të mëdha dhe do të përpiqet që të ndjekë suksesin e kushtueshëm në Ukrainë, duke kryer një sulm të ri diku tjetër”, shkroi në revistën Foreign Policy, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Spehen Walt. “Por, është po ashtu plotësisht e mundshme që ambiciet e tij të mos shtrihen përtej asaj që Rusia ka fituar me një kosto të jashtëzakonshme dhe ai nuk ka nevojë apo dëshirë të rrezikojë më shumë”.

Por, Walt shtoi se “Rusia nuk të jetë në gjendje që të nisë luftëra të reja të agresionit kur më të fund të përfundojë lufta në Ukrainë”.

Por, një shqetësim i tillë racional të tjerët thonë se nuk mund të qëndrojë. Maksim Samorukov nga Qendra Carnegie për Rusi dhe Euroazi, tha se “e shtyrë nga tekat dhe mania e Putinit, Moska ka të ngjarë të kryejë veprime vetëshkatërruese”.

Në një koment për Foreign Affairs, Samorukov sugjeroi se mosha e Putinit mund të ndikojë në gjykimin e tij.

“Në moshën 71-vjeçare… ndërgjegjësimi i tij për vdekshmërinë e tij me siguri që ndikon në vendimmarrjen e tij. Një ndiejnë në rritje për kohën e tij të kufizuar, pa dyshim që kontribuoi në vendimin e tij fatal për ta pushtuar Ukrainën”.

Në përgjithësi, Putini mund të futet në mandatin e tij me një kontroll më të dobët ndaj pushtetit sesa duket që e ka.

“Dobësitë” e Rusisë “fshihen para syve. Tani më shumë se kurrë Kremlini merr vendime në një mënyrë të personalizuar dhe arbitrare”, shkroi Samorukov.

“Elita politike ruse është bërë më e durueshme në zbatimin e urdhrave të Putinit dhe është bërë më e bindur ndaj pikëpamjes së tij paranojake”, shkroi ai. Regjimi “është në rrezik të përhershëm që të rrënohet brenda natës, siç bëri paraardhësi i tij sovjetik tri dekada më parë”.

Putin sigurisht që do të vazhdojë armiqësinë e tij ndaj Perëndimit, për të cilin, gjatë fjalimit drejtuar kombit tha se “dëshiron t’i bëjë Rusisë të njëjtën gjë që ua ka bërë shumë rajoneve të tjera të botës, përfshirë Ukrainës: të përçajë vendin tonë, ta dobësojë nga brenda”.

Rezistenca e Putinit ndaj Perëndimit manifestohet jo vetëm me zemërimin për mbështetjen që Perëndimi i jep Ukrainës, por edhe për atë që udhëheqësi rus e sheh si minim të moralit të Rusisë.

Vitin e kaluar, Rusia ndaloi një “lëvizje” kombëtare LGBTQ+, duke deklaruar se kjo lëvizje ishte ekstremiste. Zyrtarët thanë se me ndalimin e “lëvizjes” ata po luftonin për vlerat tradicionale – sikurse ato që përkrahen nga Kisha Ortodokse Ruse – përballë ndikimit perëndimor. Gjykatat ruse po ashtu ndaluan ndryshimin e gjinisë.
“Pres që roli i Kishës Ortodokse Ruse të vazhdojë të jetë shumë i dukshëm”, tha Taylor. Ai po ashtu kujtoi zemërimin që u shkaktua pasi në një festë të organizuar nga prezantuesja televizive, Anastasia Ivleeva, të ftuarve u ishte kërkuar që të shkonin “pothuajse të zhveshur”.

“Aktorët e tjerë në sistem e kuptojnë se këto gjëra rezonojnë me Putinin… Ka njerëz që janë të interesuar që t’i shfrytëzojnë këto gjëra”, tha ai.

Edhe pse opozita dhe mediat e pavarura pothuajse janë zhdukur plotësisht për shkak të masave shtypëse gjatë sundimit të Putinit, ende ka mundësi për lëvizje të mëtejme për të kontrolluar hapësirën e informacionit të Rusisë, përfshirë edhe me shtyrjen përpara të përpjekjeve të shtetit rus për të krijuar një “internet sovran”.
Inaugurimi i Putinit si president do të ndodhë dy ditë para Ditës së Fitores, festës më të rëndësishme laike në Rusi, që përkujton pushtimin e Berlinit nga Ushtria e Kuqe sovjetike në Luftën e Dytë Botërore dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të luftës, në të cilin Bashkimi Sovjetik humbi afër 20 milionë njerëz.

Mposhtja e Gjermanisë Naziste është pjesë integrale e identitetit modern të Rusisë dhe e justifikimit të Putinit për luftën në Ukrainë, duke thënë se dy ngjarjet ishin të ngjashme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!