Analiza e DW: Që Europa të mos bëhet Eurabia?

schedule11:22 - 8 Maj, 2019

schedule 11:22 - 8 Maj, 2019

Në një analizë të saj Deutsche Welle shkruan se theksi i përgjithshëm i fushatave elektorale për zgjedhjet parlamentare europiane, shpesh është ai kombëtar. Por a janë më të përgatitur përfaqësuesit e të djathtës, dhe a janë lënë në hije pro europianët?

Zgjedhjet për Parlamentin Europian nuk janë ndonjë temë që i prek thellë zemrat e publikut të Bashkimit Europian. Vetëm 43% e 445 milionë qytetarëve dhanë votën e tyre në vitin 2014 për Parlamentin Europian. Edhe kësaj here nuk pritet ndonjë pjesëmarrje më e lartë, thonë ekspertët. Pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë vazhdimisht që nga viti 1979, nga zgjedhjet e para direkte për Parlamentin Europian. Nis në këtë mënyrë analiza e Deutsche Welle për zgjedhjet parlamentare europiane.

Mobilizimi i votueseve dhe votuesve për Europën duket se nuk është i lehtë. Po ashtu në 28 vendet anëtare nuk zhvillohet një fushatë e njësuar ashtu si edhe partitë nuk janë njësoj. Në të gjitha 28 vendet anëtare secili lufton për vete, sepse votimi bëhet sigurisht në bazë të rregullave kombëtare. Nuk ka një ligj europian votimi. Kandidatin kryesor të partive popullore europiane, Manfred Veber mund vërtet ta votosh vetëm në Gjermani, sepse qytetari me shtetësi gjermane, Veber mund të kandidojë vetëm në Gjermani. Madje edhe në Gjermani, vetëm një çerekut të të anketuarve i thotë diçka emri Manfred Veber. Parulla të njëjta në Europë, sllogane zgjedhore njësoj, dhe spote televizive, siç shihen në zgjedhjet për parlamentet e vendeve vështirë se gjenden. Më 15 Maj do të jepet i vetmi debat televiziv i kandidatëve kryesorë për postin e presidentit të Komisionit Europian, i cili organizohet nga televizionet publike në BE. Por as ky debat nuk jepet kudo drejtpërdrejt.

Vetëm në pak shtete anëtare, – Itali, Francë, Gjermani, Holandë, – takohen kandidatët e partive europiane në debate përballë njëri-tjetrit.

Shumë politikanë europianë i kanë deklaruar këto zgjedhje si “zgjedhje vendimtare”, ndër ‘ta edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, që në fillim të fushatës zgjedhore madje iu drejtua me një apel 28 shteteve anëtare për reformim themelor të Bashkimit Europian, që është i kërcënuar.

Si kundërpol i Makronit liberal organizohen populistët në BE, ndryshe nga zgjedhjet e tjera europiane, me më tepër eficiencë dhe në plan më të gjerë. Nën drejtimin e radikalit të djathtë, ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini po ngrihet një aleancë e populistëve të djathtë nga Italia, Franca, Gjermania, Austria deri në Hungari. Sipas ekspertëve zgjedhorë ata mund të mbledhin votat e të zemëruarve dhe mund të arrijnë të marrin deri në 20% të vendeve në Parlamentin Europian.

Këshilltar i radikalëve të djathtë është strategu i fushatës së Trumpit, Steve Bannon, që e ndihmoi edhe Trumpin të ngjitet në postin e presidentit. Në verën e vitit të kaluar, Bannon tha se partive tradicionale në Europë u mungon “entuziazmi, fuqia dhe rinia” që të rezistojnë në fushatë. Bannon dhe Salvini duan ta ndryshojnë radikalisht nga brenda BE.

Në të 28 fushatat zgjedhore të veshura me flamurin europian, temat janë të ndryshme.

Në Spanjë zgjedhjet europiane shihen thjesht si raundi tjetër i zgjedhjeve parlamentare që sapo u zhvilluan. Në Belgjikë nuk flet njeri për Europën, sepse në të njëjtën ditë votohet parlamenti kombëtar. Në Britaninë e Madhe, zgjedhjet europiane që nuk i donte kush, kthehen në test për Brexitin.

Por a janë partitë europiane kaq të pafuqishme siç i përshkruan Steve Bannon? Një vështrim tek shifrat nga zgjedhjet e fundit të thotë, se partitë europiane të bashkuara japin pak para për fushatën zgjedhore europiane. Partitë popullore europiane, PPE përreth Manfred Veberit kanë dhënë vetëm 1,67 milionë euro si shpenzime për fushatën. Liberalët vetëm 260.000 euro. Në Gjermani partitë tradicionale, CDU dhe socialdemokratët japin më shumë, afërsisht 11 milionë euro, e megjithatë kjo shumë është sa gjysma e asaj që shpenzohet për zgjedhjet kombëtare.

Por çfarë u intereson vërtet njerëzve në BE. Parlamenti Europian e teston situatën në sondazhe të opinionit, si eurobarometri. Ekonomia, papunësia e të rinjve, migrimi, ndryshimi i klimës shihen si temat më të rëndësishme nga qytetarët e BE. Shumica e njerëzve në këto vende, sipas një sondazhi të shkurtit 2019, kërkon të qëndrojë në BE, me përjashtim të britanikëve, çekëve dhe italianëve. Mesatarisht 61% e qytetarëve europianë thonë se BE është pozitive për vendin e tyre. /ABC News Albania 24/7