Analiza/ Çfarë duhet të bëjnë Ukraina dhe Moldavia që të bëhen anëtare të BE-së?

schedule07:50 - 26 Mars, 2024

schedule 07:50 - 26 Mars, 2024

Më herët gjatë marsit, Komisioni Evropian u dërgoi për miratim anëtarëve të Bashkimit Evropian të ashtuquajturën kornizë negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë. Dokumenti prej 19-faqeve, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbulon të dyja shtetet, rruga e të cilave e zgjerimit të BE-së është e lidhur dhe aty po ashtu janë vendosur parimet bazike për bisedimet e anëtarësimit të BE-së.

Një zyrtar ukrainas tha për Radion Evropa e Lirë se dokumenti ishte “shumë i gjerë”, duke shtuar se “deri më tani, nuk ne nuk nga shkakton asnjë shqetësim pas aty nuk ka diçka të mirë apo të keqe”. Ky duket të jetë një përshkrim i drejtë, pasi në esencë është korniza e njëjtë e negocimit që Komisioni Evropian shkroi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 2020.

Çështja kryesore tani është se kur 27 shtetet anëtare të BE-së, përmes unanimitetit, do të miratojnë kornizën. Në këtë drejtim, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut japin një pasqyrë më të mirë të situatës. Për Tiranën dhe Shkupin u desh dy vjet që korniza të miratohej, kryesisht sepse Bullgaria ngriti mospajtimet dypalëshe historike me Shkupin, mospajtime që në fakt nuk janë zgjidhur ende plotësisht. Prandaj, përderisa kornizat negociuese u ndryshuan nga shtetet anëtare të BE-së për të reflektuar shqetësimet e Sofjes dhe u miratuan më 2022, kur edhe zyrtarisht nisën negociatat e anëtarësimit, as Shqipëria e as Maqedonia e Veriut ende nuk kanë një datë për hapjen e ndonjë prej 33 kapitujve të negocimit.

Paaftësia e Shkupit për të përfshirë një referencë në Kushtetutë se populli bullgar është popull shtetformues, së bashku me përplasjet mes Greqisë dhe Shqipërisë për burgosjen e kryetarit të qytetit jugor të Shqipërisë, Himar, i cili është me origjinë greke, ka nxitur vendosjen e një vetoje të dyfishtë që nënkupton se asnjëri prej këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ka bërë përparim në rrugët e tyre respektive drejt BE-së.

Për Ukrainën dhe Moldavinë ka shpresë në mesin e diplomatëve në Bruksel, me të cilët REL-i ka biseduar, se shtetet anëtare të BE-së do të japin dritën e gjelbër në fund të qershorit. Drafti tani nuk ofron asnjë aluzion konkret se çfarë mund të kundërshtojnë shtetet anëtare, nëse do të ketë kundërshtime, por jep shumë tregues se ky proces i zgjerimit nuk do të jetë fare i lehtë.

Dokumenti thekson se “nga natyra e tyre, negociatat janë një proces pa afat kohor, rezultati i të cilave nuk mund të garantohet paraprakisht” dhe shtohet se “ritmi i bisedimeve të anëtarësimit duhet të marrë për bazë kapacitetin e bllokut evropian për të absorbuar anëtarë të rinj” – një diskutim i përhershëm në bllok se ai fillimisht duhet të shikojë funksionimin e tij, veçmas sa i përket vendimmarrjes në disa institucione para se të mund të bashkohen anëtarë të rinj.

Nuk ka befasi në kuptimin e kërkesës që një anëtar i ri duhet të miratojë euron si valutë kombëtare, por vendimi se kur kjo të ndodhë varet sesa një shtet ka përmbushur kriteret e nevojshme ekonomike.

Si një shembull mund të jetë Kroacia, e cila iu bashkua BE-së më 2013, por miratoi euron një dekadë më vonë. Apo mund të merret shembull edhe anëtarësimi në Zonën e Schengenit, ku lëvizja është pa viza. Në dokument thuhet qartë se Ukraina dhe Moldavia duhet të miratojnë të gjitha ligjet kyçe të BE-së në fushën e çështjeve të brendshme në mënyrë që të bëhen anëtare të BE-së, por edhe shtetet tjera anëtare dhe Komisioni Evropian duhet të vendosin se kur ato do të jenë të gatshme për Schengen. Në këtë drejtim, shembull është Bullgaria dhe Rumania, shtete që iu bashkuan BE-së më 2007, por pjesërisht do t’i bashkohen Schengen-it në fund të marsit të këtij viti.

Pra, cilat janë problemet që rëndomë ngadalësojnë procesin negociues? Kriteri i Kopenhagës së BE-së, që vendos kërkesa kyçe për anëtarësim, thotë se çdo anëtar i ri duhet të garantojë se “respekton dhe mbron minoritetet”. Për shumë vjet, Budapesti ka qenë i zëshëm ndaj asaj që e sheh si zvogëlim të të drejtave të minoritetit etnik hungarez në Ukrainë.

Kjo ka të ngjarë që të vazhdojë. Në një debat të mbajtur javën e kaluar në Komiteti për çështje të jashtme të Parlamentit Evropian, sekretari i shtetit i Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Sztaray, tha se çështja e minoritetit hungarez në Ukrainë nuk është çështje dypalëshe, por “një çështje e të drejtave të njeriut dhe sigurisë”.
Në një dokument diskutimi të Qeverisë hungareze – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë dhe është shpërndarë në vendet anëtare të BE-së në të njëjtën kohë që Komisioni Evropian po shpërndante kornizën negociuese – Budapesti e bëri të qartë se do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi çështjen e minoriteteve.

“Që nga viti 2015 ka pasur një ndryshim në politikën e Ukrainës sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare që rezultoi në ngushtimin, ose në disa raste anulimin e të drejtave të pakicave kombëtare që më herët garantoheshin nga legjislacioni kombëtar i Ukrainës ose që dilnin nga detyrimet ndërkombëtare të Ukrainës. Ne presim që të drejtat e pakicës kombëtare të komunitetit hungarez në Ukrainë të rikthehen në nivelin e njëjtë para vitit 2015”.

Hungarezët etnikë në Ukrainë në esencë po kërkojnë tri gjëra: rivendosjen e statusit të sistemit arsimor të pakicës kombëtare; rivendosjen e disa të drejtave gjuhësore lidhur me komunikimin me autoritetet shtetërore; dhe rivendosjen e të drejtës për përfaqësim politik në nivel rajonal dhe kombëtar.

Në përgjithësi, Budapesti ka frikë se mbi katër lëndë në shkolla mund të bëhen të detyrueshme në gjuhën ukrainase. Një tjetër shqetësim është riformësimi i njësive administrative në Ukrainë që ka ulur numrin e hungarezëve nën pragun prej 10 për qind, që kërkohet në mënyrë që minoriteti të ketë të drejtën e përdorimit të gjuhës kombëtare. Zyrtarët hungarezë duan po ashtu të sigurojnë të kenë të garantuar një ulëse në Parlamentin e Ukrainës.

Çështja e të drejtave të minoriteteve është një prej katër kushteve të mbetura që janë vendosur nga Komisioni Evropian për Ukrainën që duhen të plotësohen para se të nisin bisedimet për pranim. Kërkesa kryesore është që të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venencias të Këshillit të Evropës mbi ligjin e Ukrainës për pakicat kombëtare dhe mediat e arsimin të adresohen.

Disa shtete anëtare të BE-së, si dhe Ukraina, besojnë se kjo tashmë është plotësuar. Por, Komisioni Evropian – dhe veçmas komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili është hungarez – gjatë një fjalimi para shteteve anëtare të BE-së më herët gjatë marsit theksoi se këto hapa nuk kanë përfunduar ende plotësisht.

Sipas disa burimeve në Bruksel, me të cilët bisedoi REL-i, Komisioni Evropian do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e ligjeve ukrainase. Edhe një raport për këto çështje i Komisionit të Venecias pritet të publikohet në qershor. Pavarësisht se çfarë do të thuhet në atë raport, është e pritshme që Budapesti do të dëshirojë që korniza negociuese të përfshijë shqetësimet e tij për të drejtat e minoriteteve.

Çfarë kërkohet për një BE më të madhe?

Pa shumë bujë, më 20 mars Komisioni Evropian publikoi idetë e tij se çfarë reformash duhet të ndërmarrë blloku në mënyrë që të pranojë më shumë anëtarë. Dokumenti prej 22-faqesh, nuk është aspak gjithëpërfshirës. Aty janë përmbledhur disa ide fillestare para disa rishqyrtimeve në të ardhmen të politikave në disa fusha që Komisioni do të bëjë më vonë gjatë vitit 2024 dhe më 2025. Edhe një herë, zgjerimi i BE-së duket se gëzon një lloj momentumi, përderisa udhëheqësit e BE-së në muajt e fundit kanë vendosur që bisedimet për anëtarësim të nisin me Bosnje e Hercegovinën, Moldavinë dhe Ukrainën.

Dokumenti nis duke trajtuan pyetjen e përhershme për zyrtarët në Bruksel: nëse fillimisht duhet të shtohen vendet e reja në klub apo duhet të fillohet duke ndryshuar rregullat e brendshme të BE-së.

“BE-ja duhet të thellohet përderisa zgjerohet. Ne duhet të nisim të përgatitemi sot për bllokun e së nesërmes dhe të përdorim zgjerimin si një katalizator për përparim”, thuhet në dokument.

Ndoshta kapitulli më interesant në dokument ka të bëjë me mendimet e Komisionit lidhur me qeverisjen në vazhdim të BE-së. Debatet janë ndezur për vite me radhë lidhur me atë nëse BE-ja ka nevojë për ndryshimin e një traktati nëse ka nevojë të pranojë më shumë anëtarë ose jo. Këtu, dokumenti duket se është në favor të kësaj të fundit, duke vënë në pah se “ndërsa Komisioni ka treguar mbështetjen e tij për ndryshimin e traktatit, nëse dhe ku do të ishte e nevojshme” beson se “qeverisja e BE-së duhet të përmirësohet me shpejtësi, duke përdorur potencialin e traktateve aktuale”.

Kjo pikëpamje mbështetet nga shumica e anëtarëve të BE-së dhe pa diskutim është formuar nga trauma kur votuesit holandezë dhe francezë refuzuan Kushtetutën e re të BE-së në referendumet e mbajtura më 2005 dhe më pas votuesit irlandezë bënë të njëjtën gjë për një traktat të ndryshuar disa vjet më vonë. Kjo është një “Kuti Pandore” që pakkush dëshiron ta hapë sërish.

Çështja kryesore, si gjithmonë kur bëhet fjalë për drejtimin e BE-së, është çështja e unanimitetit. Shumica e vendimeve sot merren me një shumicë të kualifikuar (55 për qind e shteteve anëtare përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së), por unanimiteti mbetet në fusha vendimtare sikurse politika e jashtme, taksat, dhe veçanërisht politika e zgjerimit. Dokumenti vë në pah se “në një bllok edhe më të madh, unanimiteti do të jetë edhe më i vështirë që të arrihet, me rrezikun e shtuar që vendimet të bllokohen nga një shtet i vetëm anëtar”.

Por, çfarë mund të bëhet pa rishkruar të gjithë rregulloren e BE-së? Komisioni Evropian tha se të ashtuquajturat klauzola kalimtare në traktatin aktual të BE-së do të lejonin kalimin nga unanimiteti në votim me shumicë të kualifikuar në të gjitha fushat. Por, që ky ndryshim të ndodhë duhet të ketë unanimitet. Me fjalë të tjera, kërkohet një votim unanim për t’i dhënë fund unanimitetit.

Ky është një rreth nga i cili është vështirë të dilet pasi pikërisht vetoja, në praktikë, është ajo që i bën vendet më të vogla anëtare po aq të rëndësishme sa ato më të mëdha. Dhe përmes kërcënimit të vetos shtetet anëtare mund të fitojnë diçka në fusha të tjera të politikave. Shembulli i kësaj është se Hungaria kërkon më shumë para të BE-së për të mos e përdorur veton, para që po mbahen nga BE-ja për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në Hungari, dhe Budapesti kërcënon me vendosjen e vetos për vendime kyçe. Pse Budapesti – ose kushdo tjetër – do të hiqte dorë nga një mjet kaq i fuqishëm?

Dokumenti i Komisionit Evropian nuk është se i përgjigjet kësaj pyetjeve krejtësisht, edhe pse mundohet. Një është përdorimi i “abstenimeve konstruktive”, që do të thotë se një shtet nuk thotë as “po” e as “jo”, por lë që të miratohen vendimet. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, që thjesht u largua nga mbledhja gjatë një samiti të mbajtur së fundi nga BE-ja, ku udhëheqësit vendosën të hapnin bisedimet për anëtarësim me Ukrainën, është shembull i mirë në këtë çështje. Por, a mund të ndodhë kjo në baza më të rregullta?

Një tjetër ide që ka qarkulluar është që të ofrohet mundësia që një ose disa shtete anëtare të thirren në arsyen e interesit të jashtëzakonshëm kombëtar për të vazhduar diskutimet në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e kënaqshme për një çështje të caktuar. Megjithatë, kjo ngre pyetje se sa kohë mund të vazhdojë kjo dhe nëse kjo me të vërtetë do ta bënte bllokun evropian që të lëvizte më shpejtë në fushat kyçe të politikave.

Ka po ashtu disa ide se si të përshpejtohet procesi i zgjerimit – proces, që ndoshta është më i rëndi nga të gjitha politikat e BE-së dhe ku më së shumti mund të përdoret vetoja. Sa herë që hapet një nga 33 kapitujt e politikave – shtyllës së procesit të pranimit – kërkohet unanimitet nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Po kështu ndodh kur mbyllen secili prej kapitujve dhe etapat e përkohshme në disa nga kapitujt. Kjo nënkupton se procesin e anëtarësimit të çdo shteti ka mbi 70 mundësi për t’u bllokuar i gjithë procesi. Shqipëria, dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut, janë shembujt më të mirë të kandidatëve të BE-që që duket se kanë ngecur që një pafundësi në dhomën e pritjes thjesht për shkak të vetos të vendosur nga ndonjë shtet.

Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e unanimitetit për hapjen e negociatave, por edhe për etapat e brendshme. Por, ka thënë se vetoja duhet të mbahet për mbylljen e kapitujve dhe vendimin final për pranimin e një anëtari të ri në Bashkimin Evropian. Pra, në këtë mënyrë do të reduktohej përgjysmë mundësia e vendosjes së vetos.

Pyetja më e rëndësishme, megjithatë është nëse shtetet anëtare duan ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit – edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe me një shtet kandidat apo thjesht për të arritur një marrëveshje më të favorshme në një fushë të caktuar të politikave që nuk lidhet fare me këtë proces – do të vazhdojnë të përfitojnë nga mundësia e vetos që ende është në fuqi. Thënë shkurt, reformimi i BE-së dhe lejimi që vendet e reja të anëtarësohen nuk janë në rrugë e lehtë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!