Analisti Neritan Alibali ka deklaruar se Policia e Shtetit ka ndryshuar që nga viti 2013. I ftuar në studion e ABC me Ebdri Xhafon analisti komentoi ngjarjen e rëndë të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie.
“Policia ndryshoi sa hap e mbyll sytë. Ramës i janë ngrënë tre ministra të brendshëm. Fryma që ka ardhur deri këtu policia është një frymë e krijuar që nga viti 2013. Saimir Tahiri bëri deri diku një reformë të policisë rrugore, por filloi nga Saimir Tahiri duke futur në polici militantë, kanë futur edhe parti të tjera, më pas u drejtua nga Rama për të qenë një polici e ashpër. Kanë realizuar detyrat që ka dhënë kryeministri”, tha ai.
Dorëheqjen e Sandër Lleshajt nga posti i ministrit të Brendshëm Alibali thotë se ishte një akt qytetar, por gaboi me motivin, duke tentuar të fajësojë opozitën.
“Lleshaj bëri një akt qytetar shuam pozitiv, por nuk më pëlqeu motivacioni. U përpoq të fajsonte opozitën dhe vazhdoi atë shpullë që ka krijuar Rama që para meje nuk është bërë asgjë dhe unë kam bërë punë. Kjo tendencë për ta kthyer çdo ngjarje në sulm ndaj opozitës nuk e nderon Lleshaj. Është një frymë që ka nisur në vitin 2013 që Rama e ka instaluar brenda administratës. Njësia Shqiponja duhet të ketë një reformë tërësore”, u shpreh analisti.
I pyetur për shuarjen e protestës, Alibali tha se kjo nuk ka rëndësi. Siç thotë ai kjo protestë tregoi frymë opozitarizmi duke mos u drejtuar nga politika.
“Të gjitha protesta vdesin. Protesta ishte e paorganizuar. Mendoj se nuk ka rëndësi u shua apo jo protesta, për mua ka rëndësi që tregoi një frymë opozitarizmi, kundërshtimi ndaj së keqes që këtë radhë nuk u drejtua nga partitë politike. unë mendoj se janë diversione të Ramës që akuzon Berishën dhe Metën, ai përpiqet të reagojë se Basha nuk është përfshirë. Kjo është në vazhdën e atyre që Rama ka bërë”, tha analisti.
Alibali beson se kryeministri Rama do të zgjedhë një figurë jo politike për të zëvendësuar Sandër Lleshajn.
“Një njeri që do i shërbejë Ramës. Mendoj se do jetë një njeri jo me profil të lartë politik. Të gjithë figurat politike sot të PS janë sulmuar, goditur dhe konsumuar. Mendoj se Rama i leverdis të ketë një njeri tjetër. Mendoj që do na çudisë figura që do na paraqesë”, tha Alibali. g.v/abcnews.al