Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës, u transferua këtë verë te skuadra e Hellas Verona në Serie A. Së bashku me Marash Kumbullën, Rrahmani ka plotësuar një qendër mbrojtje shqiptare te skuadra italiane. Mbrëmjen e së hënës, Kosova luajti kundër Malit të Zi, me Rrahmanin që shënoi golin e parë në triumfin 2-0.
Me shiritin e kapitenit në krah, numri 13 bëri një ndeshje të shkëlqyer. Tifozët e Hellas Verona janë dashuruar që tani me dardanin dhe elozhet për këtë të fundit nuk kanë munguar. Karriera e Rrahmanit është me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme, pasi rritja e tij dhe ngjitja e shkallëve ka qenë e menjëhershme.
25-vjeçari e ka nisur futbollin me skuadrën e qytetit të tij të lindjes, Drenicën, për t’u transferuar më pas te Partizani në vitin 2013. Në vitin 2016, Rrahmani u transferua te skuadra e Dinamo Zagreb, u huazua sezonin e parë dhe luajti dy sezonet e tjera në nivele të shkëlqyera.
Këtë verë, Hellas Verona e kërkoi me ngulm shtatlartin 25-vjeçar, duke paguar plot 2 milionë euro për kartonin e tij. Tashmë, vlera e dardanit është 10-fishuar dhe në rast se vazhdon me paraqitje të tilla, padiskutim do të konsiderohet si një ndër mbrojtësit më të mirë në Serie A./abcnews.al