Amir Abrashi është i lumtur pas rikthimit nga dëmtimi, në Bundesligë. Mesfushori pritet të jetë i gatshëm për kombëtaren në eleminatoret e Europianit që nisin në mars
Kur emri i tij u lajmërua nga qendra e zërit, emocionet ishin të mëdha. Amir Abrashi u kthye më në fund në formacionin e Frajburgut, pas 11 muajsh mungese për shkak të dëmtimit, një moment që kënaq në Gjermani, por edhe në Shqipëri.
Mesfushori i Kombëtares luajti si titullar në sfidën e Bundesligës në fushën e Shalkes, dhe barazimi 0-0 ishte edhe për meritë të tij. Trajneri Kristian Shtrajh vlerësoi se “prania e Abrashit në fushë bëri që ne të ishim shumë më të fortë në lojën në mbrojtje”.
Vetë Abrashi, ishte tepër I lumtur pas ndeshjes, siç e deklaroi edhe për mediat gjermane, duke theksuar se e kishte pritur gjatë këtë ditë.
“Pritja ishte shumë e gjatë dhe më duhej të motivoja veten që të mos bëhesha pesimist, – dëmtimi ishte i rëndë, por tashmë kaloi, dhe në fund të ndeshjes nuk isha I lodhur, edhe pse luajta 90 minuta. Gëzimi ta heq lodhjen”.
Abrashi është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Frajburgut, por edhe të kombëtares së drejtuar nga trajneri Kristian Panuçi. Për fat të keq, për 11 muaj ai nuk mundi t’i jepte kontribut ekipit përfaqësues, që e ndjeu mungesën e tij në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Tashmë, shpresohet që mesfushori nga Kosova të mos ketë probleme të tjera fizike dhe të jetë gati për eleminatoret e Europianit që nisin në mars./abcnews.al