Fundi i luftës në Ukrainë nuk duket të jetë i afërt, ndërsa luftimet kanë hyrë në muajin e tretë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nina Vishneva, tashmë disa amerikanë po përpiqen t’i bashkohen betejës për të mbrojtur Ukrainën.
Andrew Bennett është punonjës në ndërtim, ndërsa bëhet gati të shkojë në Ukrainë. Darka është i vetmi moment kur ai mund të ketë një moment të lirë.
“Presidenti Zelensky është një udhëheqës fantastik, ai është një udhëheqës besnik, ai është një udhëheqës frymëzues, ai është njeriu më kurajoz në planet”, thotë Andrew Bennett, vullnetar për në Ukrainë.
Në vetëm pak ditë, zoti Bennett do të niset për në Poloni. Nga aty, ai do të shkojë në Ukrainë, ku dëshiron të ndihmojë për ta mbrojtur vendin nga Rusia.
“Javës që vjen do marr helmetën. E kam marrë tashmë jelekun antiplumb”, thotë zoti Bennett.
Andrew nuk ka qenë ndonjëherë në Ukrainë, por është i vendosur ta ndihmojë popullin e këtij vendi që lufton për liri. Ai po përpiqet të anëtarësohet në Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës dhe ai nuk është i vetmi. Atje gjenden mijëra të huaj të tjerë.
Sipas autoriteteve ukrainase, mbi 20 mijë të huaj i janë bashkuar Legjionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale. Deri më tani, janë miratuar vetëm 100 aplikime nga 6 mijë shtetas amerikanë që kanë bërë kërkesë.
Anthony Capone është specialist i teknologjisë së informacionit. Ai po ofron mbështetje financiare për vullnetarët që dëshirojnë të ndihmojnë Ukrainën duke u bërë pjesë e forcave të mbrojtjes.
“Shumë njerëz thonë ‘do të doja të bëhesha pjesë e Legjionit Ndërkombëtar, por nuk kam të ardhurat e duhura për të shkuar atje, për avionin, për vizat… nuk kam pasaportën apo paisjet…’. Mendova se kjo do të ishte diçka për të cilën mund të ndihmoja unë”, thotë Anthony Capone, themelues i organizatës “UkrainianDemocracy.com”.
Zoti Capone gjendet në Poloni, së bashku me një ekip prej dhjetë personash që ndihmojnë me dokumentacionin dhe logjistikën. Ai vë në dukje se vullnetarët nuk marrin pagë. E gjithë mbështetja financiare shkon për blerje municioni dhe për të përballuar kostot e transportit.
“Ishte një periudhë në fillim, gjatë së cilës u ndjemë të mbingarkuar… Mendoja se do të kishim 10-15 vullnetarë. E fillova punën gjatë një udhëtimi me avion. Kur dola nga avioni pas shtatë orë fluturimi, kisha marrë 170 aplikime”, thotë zoti Capone.
Ai krijoi një faqe të veçantë në internet për vullnetarët e huaj me synimin për të shqyrtuar historikun e tyre dhe për t’i lidhur me sponsorë të mundshëm. Ai gjithashtu verifikon që në radhët e vullnetarëve nuk ka ushtarakë në shërbim aktiv. Deri më tani, ai ka marrë aplikime nga 36 vende të botës. Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, aplikimet vijnë edhe nga Kolumbia, Kili, Koreja e Jugut, Maroku dhe Zelanda e Re.
Qeveria amerikane u ka bërë thirrje amerikanë të shmangin udhëtimin drejt Ukrainës. Por, kjo nuk po e ndal zotin Bennett. Krahas paisjeve ushtarake, ai po merr me vete një telefon satelitor, tabletin e tij iPad ku ka të instaluara mësime për gjuhën ukrainase, dhe Biblën.
Ai shpreson që do të përdorë aftësitë e tij profesionale për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, kur një ditë kjo luftë të përfundojë./DW