Amerika është tepër e përçarë, për të rimarrë vendin e saj në skenën globale

schedule14:52 - 6 Nëntor, 2020

schedule 14:52 - 6 Nëntor, 2020

Nga Ian Bremmer, Time

Është mëse e kuptueshme që zgjedhjet më të polarizuara në SHBA në kujtesën e kohëve të fundit, do të përfundonin me një proces votimi edhe më polarizues, që do të ketë pasoja për pozitën e Amerikës në botë.

Numërimi i votave vazhdon të jetë në proces. Presidenti Donald Trump u nxitua të shpallte fitoren, teksa më vonë pretendoi se kundërshtarët e tij po përpiqen të “vidhnin” zgjedhjet. Për Trumpin, një president që ka treguar shumë pak shqetësim për shëndetin afatgjatë dhe legjitimitetin e demokracisë amerikane, refuzimi i lëshimit ndaj kundërshtarit ka gjithashtu kuptim.

Përtej kompetencave të vetë presidencës, në rrezik është drejtimi aktual dhe i ardhshëm i Trump në Partinë Republikane, ashtu si edhe aftësia e tij për të përdorur kompetencat e presidencës, për të mbrojtur veten nga problemet financiare dhe ligjore.

Shanset që Trump të pranonte me elegantë humbjen në zgjedhje, ishin në çdo rast të pakta. Ndërsa Xho Bajden ka shansin të rezultojë fitues pasi të jenë numëruar të gjitha fletët e votimit, një humbje e tij në fund do të ishte shokuese për mbështetësit demokratë, shumë prej të cilëve mund të mendojnë gjithashtu se zgjedhjet janë “manipuluar” në dëm të tyre.

Pavarësisht se si do të jetë fundi i këtyre zgjedhjeve, një gjë është gjithnjë e më e qartë:në vitin 2020, nuk ka asnjë demokraci të përparuar më të ndarë politikisht sesa ajo e SHBA-së. Performanca shumë e mirë e Trumpit në zgjedhje, në raport me pritshmëritë e sondazheve, e forcon atë fakt, dhe e bën të qartë faktin se ndarjet në elektoratin amerikan janë më strukturore dhe më të rrënjosura, sesa shpresonin shumë analistë politikë.

Fakti që asnjëra palë nuk duket se do të pranojë shpejt rezultatin e zgjedhjeve, nuk do të

thotë se Shtetet e Bashkuara janë në prag të shndërrimit në një shtet autoritar. Megjithëse janë dobësuar pa asnjë dyshim vitet e fundit, institucionet e saj demokratike, kanë ende rrënjë të forta, dhe niveli i përgjithshëm i pasurisë së SHBA-së vijon që të shërbejë ende si një lloj amortizatori për shumë probleme.

Por SHBA-ja është duke u larguar gjithnjë e më shumë nga të qenit një demokraci realisht përfaqësuese dhe funksionale, ashtu si demokracia në Kanada apo Gjermani – ku vullneti i drejtpërdrejtë i njerëzve reflektohet në politikën qeveritare, dhe ku udhëheqësit e tyre të zgjedhur, pranohen gjerësisht nga pala humbëse – dhe po shkon më shumë drejt të qenit një sistem politik hibrid, siç e shohim tani në Hungari dhe Turqi.

Situata nuk është ende aq e keqe, por vendi po ecën në mënyrë shqetësuese në atë drejtim. Pavarësisht se kush do të betohet si president i SHBA-së, do të ketë më shumë politikë jo-funksionale në vend, dhe një prani më të dobët ndërkombëtare të SHBA-së, krahasuar me atë të 50 viteve të fundit.

Në frontin e brendshëm, prisni që debatet mbi proceset politike dhe çështjet e politikave si tregtia e lirë dhe emigracioni, të vazhdojnë të ndezin dhe të përçajnë vendin. Ndërkohë, mediat sociale do të vazhdojnë të nxisin polarizimin e amerikanëve të të gjitha rrymave politike.

Nga ana e tij, ky mosfunksionim politik në shtëpi, do ta bëjë të vështirë që SHBA-ja të vazhdojë të jetë një shembull për çështje me rëndësi jetike, si ndryshimi i klimës apo rregulloret në fushën e teknologjisë.

Apo për t’u përballur me Kinën në një front të bashkuar, në lidhje me çështje të vështira si tregtia dhe siguria. Kjo është e vërtetë, edhe nëse Bajden do të rezultojë fitues, pasi ai ka të ngjarë të përballet me një Senat republikan, dhe të jetë i kufizuar në sasinë e kapitalit politik, që mund të shpenzojë në politikën e jashtme.

Bota po kërkonte nga SHBA një palë “zgjedhje deklarative”. Dhe të tilla ishin. Ndaj prisni që 4 vitet e ardhshme të politikës amerikane, brenda dhe jashtë vendit, të duken më shumë si 4 dhe jo 50 vitet e shkuara.

*Ian Bremer, kryeredaktor i çështjeve të jashtme në Time, njëherazi lektor i gjeopolitikës në Shkollën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit të Kolumbias.

Përktheu: Alket Goce -abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!