Nga Daniel Baer, Foreign Policy
Përkundër historisë së gjatë të presidentit të ri amerikan Joe Biden, si një mbështetës i internacionalizmit liberal, aleatët e Uashingtonit janë thellësisht të zhgënjyer nga 4 vitet e fundit të administratës Trump.
Sot, ish-presidenti Donald Trump mbetet personi i dytë më i mundshëm që do të inaugurohet si president më 20 janar 2025 (duke supozuar se do të rikandidojë, Biden shihet si më i mundshmi). Për aleatët e SHBA-së që mendojnë për ri-investimin jo vetëm të burimeve,
por edhe të besimit në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara, perspektiva e një administrate të dytë Trump është një arsye për të pasur shumë kujdes.
Ata mund të pyesin në mënyrë shumë logjike:“E pse duhet të investojmë sërish tek Shtetet e Bashkuara, kur pas 4 vitesh mund të rikthehet në krye sërish Donald Trump?”. Është kjo arsyeja pse ndërsa ndiqnin procedurat e fajësimit të dytë të Trump, shumë prej miqve të Shteteve të Bashkuara shpresonin që Senati i SHBA-së ta pengonte atë të mbante në të ardhmen ndonjë post federal.
Edhe pse spektri i populizmit nacionalist të krahut të djathtë mbetet i fuqishëm, siguria se vetë Trump nuk do të rikthehej të garonte sërish për president në vitin 2024, do t’u jepte aleatëve të SHBA-së një farë besimi se ata mund të punonin me administratën e Biden për të ripërtërirë marrëdhëniet pa u shqetësuar se më vonë puna e tyre mund të shkatërrohet.
Por me gjithë sfidat e tij, rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë është mjaft i vështirë. E megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ishte tërësisht e pashembullt:Më shumë se një shekull më parë, Grover Cleveland u largua nga Shtëpia e Bardhë pas një mandati presidencial, dhe u kthye në Shtëpinë e Bardhë 4 vjet më vonë.
Por Cleveland ishte një politikan puritan, i cili tërhoqi shumë mbështetje përtej vijave të partisë me politikat e tij anti-korrupsion dhe pro-biznesit. Në garën e tij të parë të pasuksesshme për t’u rizgjedhur në detyrë në 1888, ai fitoi votën e popullit, por humbi në Kolegjin Zgjedhor. Është e drejtë të thuhet se Trump, nuk është Cleveland.
Por le të supozojmë për hir të argumentit, se Trump – ose një figurë tjetër Trumpiste – rikthehet në pushtet pas 4 vitesh. Çfarë duhet të bënin aleatët e SHBA si Japonia dhe Australia në Paqësor dhe Britania, Franca dhe Gjermania në Evropë?
Nga perspektiva e këtyre partnerëve, pavarësisht se kush hyn në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka asnjë alternativë tjetër. Pavarësisht nga të metat e këtij vendi, SHBA-ja mbetet partneri i dukshëm dhe i domosdoshëm në trajtimin e sfidave rajonale dhe globale.
Pa e kontestuar aspak mençurinë e Evropës mbi të ashtuquajturën “autonomi strategjike”, duhet theksuar se që të jesh autonom nuk do të thotë të braktisësh bashkëpunimet që ke aktualisht. Nëse evropianët e pranojnë që interesat e tyre strategjike, kanë më shumë mundësi të përparojnë në një partneritet me Shtetet e Bashkuara, atëherë objektivi i tyre duhet të jetë sigurimi i një partneriteti me Uashingtonin që të jetë më i fortë, i besueshëm dhe elastik ndaj tensioneve të mundshme në të ardhshmen.
Nga ana tjetër, ky përfundim, duhet të çojë në 2 ndryshime thelbësore në të menduarit e Evropës. Së pari, ata duhet të synojnë të punojnë me administratën Biden, në një mënyrë që angazhimi i SHBA-së me partnerët dhe aleatët e saj të japë përfitime edhe për popullin amerikan, por edhe për votuesit evropianë gjithashtu.
Së dyti, evropianët duhet të mos e shohin më SHBA-në si themelin e veçantë dhe të përhershëm të rrjetit ndërkombëtar të aleancave demokratike, por si një pjesëmarrës që ashtu si pjesëmarrësit e tjerë duhet të jetë i angazhuar në institucione, procese dhe zakone bashkëpunimi.
Trumpizmi, ashtu si format e tjera të populizmit, nuk është parimor; por oportunist. Nëse Shtetet e Bashkuara do të kenë një president tjetër Trumpist, një nga mënyrat se si aleatët dhe partnerët e SHBA-së mund të sigurojnë një partneritet të qëndrueshëm me Uashingtonin, është të ndihmojë që partneritete të tilla të bëhen më popullore midis votuesve amerikanë.
Në planin afatgjatë, punëtorët në Detroit të SHBA-së dhe Dyseldorf të Gjermanisë, kanë interes mbi një botë që mund të mbrojë dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Në një periudhë të afërt, udhëheqësit në të dyja anët e Atlantikut mund të bëjnë një punë më të mirë duke i kushtuar vëmendje bukës së përditshme të këtyre punëtorëve, ndërsa udhëheqësit punojnë për ta bërë botën të sigurt për brezat e ardhshëm të këtyre 2 qyteteve por edhe shumë të tjerëve.
Sfida e paraqitur nga Kina, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe atë politike, është një shqetësim në rritje si nga e majta ashtu dhe nga e djathta në Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Evropian ka interesat e tij për të pasur një qasje strategjike ndaj Kinës, dhe e ka identifikuar atë si një “rivale sistematike”.
Ndaj,BE dhe vendet e saj anëtare duhet të punojnë me administratën e Biden për të siguruar që strategjia e SHBA-së për menaxhimin e konkurrencës me Kinën, të mbështetet pjesërisht në bashkëpunimin e fuqishëm me BE-në. Në thelb, qëllimi i evropianëve duhet të jetë sigurimi se nëse në pushtet vjen një tjetër Trumpist, ai të trashëgojë një situatë ku dëmtimi i marrëdhënies me BE-në do të jetë politikisht jo tërheqës,ashtu siç do të kishte qenë dikur braktisja e Gjermanisë Perëndimore për Ronald Reagan.
Ndërkohë, partnerët dhe aleatët duhet të punojnë me administratën e Biden për të rindërtuar dhe forcuar institucionet dhe praktikat që e mbështesin atë bashkëpunim. Institucionet efektive ndërkombëtare, marrëveshjet dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm, mund t’i lidhin me lehtësi qeveritë, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara, kur të rikthehet tendenca e unilateralizmit dhe qasja transaksionale në politikën e jashtme.
Kjo nënkupton gjithashtu ndërtimin e strategjive dhe angazhimit diplomatik për të trajtuar sfidat e reja. Në vitin 2020, Shtetet e Bashkuara pësuan sulmin më të rëndë kibernetik në historinë e tyre. Partnerët dhe aleatët demokratë, duhet të synojnë të rrisin dhe zgjerojnë bashkëpunimin mbi qëndrueshmërinë e demokracive kundër regjimeve autoritare, të cilat synojnë t’i dobësojnë përmes minimit të qeverisjes nëpërmjet përdorimit të sulmeve kibernetike dhe teknologjive të tjera në zhvillim.
Plani i Biden për të organizuar një Samit të Demokracive, duke pasur në krye të axhendës luftën kundër korrupsionit, është një mundësi për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj dhe partnerët, që të adresojnë një nga shkaqet kryesore të reagimit populist, dhe një nga faktorët kryesorë për ndikimin e huaj dashakeq në shumë demokraci të përparuara.
Nëse ka një leksion që duhet mësuar nga 4 vitet e fundit, është se misioni i demokracisë nuk mbaron kurrë, dhe se secili prej vendeve demokratike mund të bëjë hapa pas. Dhe kur ndodh kjo, na duhet një rrjet miqsh që të na ndihmojmë të rikthehemi dhe të gjejmë sërish rrugën tonë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al