Ambienti i sekuestruar nga krimi kthehet në qendër për të rinjtë në qytetin e Durrësit

schedule08:59 - 27 Maj, 2020

schedule 08:59 - 27 Maj, 2020

Një ambient i sekuestruar nga krimi sot është kthyer në një ambient argëtimi dhe trajnimi për të rinjtë në qytetin e Durrësit.

I ftuar në studion e emisionit ABC-ja e mëngjesit, Nenci Dragoti përfaqësuesi i Fondacionit Arsimor Shqiptar tregoi rrugën se si një ambient i cili më parë kishte qenë disko, sot i shërben të rinjve, si dhe sfidat që hasi bashkë me stafin e tij për të nisur këtë rrugë, për shkak të frikës nga pronari i mëparshëm, por edhe ndrojtjes së njerëzve për të frekuentuar një ambient të tillë.

Dragoti tha se kjo qendër ka shërbyer edhe si qendër punësimi për shumë të rinj të cilët kryejnë shërbimin e provës, si dhe për studentë që duan të ndjekin trajnime dhe kurse por edhe të argëtohen duke ndjekur një film ose shfaqje në orët e pasdites.

“Ambienti përpara ka qenë një disko. Ne pamë një thirrje dhe menduam të japim kontributin  tonë dhe ishte një frikë nëse duhet të futemi apo jo. Kemi pasur edhe problematikat sepse Durrësi u përball me tërmetin. Kinfolk-u është një librari e vendosur në qytetin e Durrësit. Është një kafe për të rinjtë që vijnë nga shërbimi i provës. Një pjesë e të rinjve ne i marrim të punësohen aty. Pjesa më e madhe janë persona që kanë të ardhura të pakta për të mbajtur familjen.

Kemi pasur marrëveshje të mira me universitetin dhe shkollat e mesme duke i sjellë ata për t’u njohur me këtë ambient sepse nuk e dinin. Emrin ia kemi vendosur sepse kemi zgjedhur diçka popullore dhe pasdite ai përdoret edhe si ambient kursesh, por edhe për argëtim në formë kinemaje. Ajo është një kafe e adoptuar nga Australia. Ai është një ambient multifunksional për rritje e kapacitetit edukativ për studentët përmes trajnimeve në të folurin publik, ngritjen e planeve të biznesit dhe kurse për disa lëndë mësimore.

Frika ka qenë në momentet e para. Kemi pas edhe frikën nga pronarët të cilët u kthyen pas shumë vitesh. Por duke u bazuar në ligj, konfiskimi ia jep shtetit. Me mbështetjen e aktorëve BE, Ministria e Financave që na e ka dhënë këtë pronë, kemi marrë forcën që kjo prona mund të bëhet dhe sot përdoret në të mirë të komunitetit”, tha Dragoti./abcnews.al