Ambientalisti në ABC: Pse Vjosa ka nevojë që të kthehet në Park Kombëtar dhe jo për diga

schedule20:08 - 16 Mars, 2021

schedule 20:08 - 16 Mars, 2021

Ambientalisti Lavdosh Ferruni renditi sot në “Radari Informativ” në ABC disa arsye se pse nuk duhet të ndërtohen HEC-e përgjatë rrjedhës së Vjosës. Në një bisedë me Jonida Shehun, ambientalisti tregoi se nga ndërtimi i hidrocentralit, dëmet që pasojnë janë të shumta, përfshirë këtu ato ekonomike, ekologjike etj.

Sipas Ferrunit, jo vetëm që duhen anuluar hidrocentralet, por Vjosa duhet të bëhet urgjentisht park kombëtar.

Kujtojmë se ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ Nobel, në një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, i bëri thirrje për fillimin e projektit të parkut të kombëtar të Vjosës.

Succow shkroi në letër: “Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë. Rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin.”

Ndërsa, ambientalisti Ferruni theksoi se ajo që ka më shumë rëndësi është që këtë nismë po e mbështet edhe komuniteti shkencor. Pra nuk bëhet fjalë për thjesht ruajtjen e bukurive natyrore të këtij lumi dhe ekosistemit të tij.

“Ka një sensitivitet ndërkombëtar,  jo vetëm në planin politik. Mbi të gjitha është komuniteti shkencor. Ky konsiderohet një aset evropian. Biodiversiteti është aset global. Do ketë humbje në biodiversitet nëse ndërtohen diga. Nëse konvertohet në një park kombëtar do të ketë një vlerë të mirë ekonomike.”

Ambientalisti tha se BE, po të ketë vullnetin mbështet me financime, por duhet mbështetje edhe nga pala shqiptare.

“Ka një ndjeshmëri edhe të publikut, të banorëve, aty banojnë gati 1 milionë veta. Janë kundër vendosjes së digave. Lumi shkatërrohet.., mund të ketë përmbytje të tokave pjellore, bujqësore.”

Lavdosh Ferruni theksoi gjithashtu, se me ndërtimin e baseneve, mund të dëmtohen ujërat nëntokësorë të Vjosës, edhe rrjedhimisht edhe burimet e Poçemit. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!