Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, Vadym Prystaiko, deklaroi se Kievi nuk mund të konfirmojë nëse Rusia po tërheq trupat e saj ushtarakë nga kufiri.
“Në disa raste forcat ushtarake tërhiqen, ndërsa ka raste që forca të reja ushtarake kthehen në kufi.”
“Disa ura të lëvizshme janë ndërtuar mbi një lumë në Bjellorusi vetëm gjashtë kilometra nga kufiri ukrainas. Pra, këto përgatitje janë shumë shqetësuese për ne,” tha Prystaiko për BBC.
Ai thotë se Rusia ka grumbulluar rreth 130,000 trupa në kufijtë e Ukrainës.
Kur u pyet për numrin aktual të trupave ukrainas, ambasadori u përgjigj: “Kemi mjaft forca tani – janë rreth 250,000.”
Ambasadori tha se ukrainasit “do të luftojnë vetëm nëse u duhet ta bëjnë”, duke mos “ia lënë këtë çështje NATO-s apo dikujt tjetër”.
Megjithatë ai thekson se Ukraina ka nevojë për “disa pajisje shtesë për të mbrojtur vendin.”
BBC raporton se situatat mes Ukrainës dhe Rusisë mund të ndizet në çdo moment, duke cituar një zëdhënës të Kremlinit.
Kremlini thotë se është thellësisht i shqetësuar nga raportet për dhunën në rajonin e Donbasit të Ukrainës, të kontrolluar nga rebelët ndërsa po monitoron nga afër situatën.
Zyrtari përsëriti pretendimin e Moskës se disa trupa ruse po tërhiqen nga rajoni kufitar, por thotë se procesi do të marrë pak kohë.
Ai hodhi poshtë gjithashtu raportet se Rusia po planifikon një pushtim të Ukrainës, diçka që Moska e ka mohuar vazhdimisht javët e fundit./abcnews/