Nuk e ka besuar kurrë në rininë e hershme se do arrinte të shërbente në diplomaci, edhe pse një shok i klasës dukej sikur i kish parashikaur këtë rrugëtim. Ambasadori Mal Berisha, që ka shërbyer për diplomacinë shqiptare në Stamboll e Londër, ka rrëfyer në “Refleksione” në ABC se rrugëtimi i tij ka qenë krejt ndryshe nga ëndrrat e rinisë.
“Në kohën e rinisë sime ishte e vështirë të ëndërroje për të qenë pjesë e diplomacisë. Por mbaj mend një shokun tim të klasës, në fëmijëri, që më shihte kaligrafinë time kur shkruaja, e që më thoshte ‘ti ke firmë prej diplomati’!. Unë ndërkohë kisha frikë se nuk do arrija as të mbaroja shkollën e lartë, për shkak se një xhaxha i tim eti jetonte në SHBA dhe ku ne shiheshim ndryshe nga sistemi. Mbaj mend se si unë dhe im atë në atë kohë, kur ndaheshim mëngjeseve për vite të tëra, për shumë raste i jepnim hallallëkun njëri-tjetrit, pasi askush nuk kishte sigurinë se nuk do mund të ktheheshe në shtëpi, pasi lufta e klasave ishte një luftë e papërcaktuar, që nuk dihej se kujt i drejtohej”, tha Berisha, duke kujtuar se dijenitë që i kishte përfituar në Akademinë e Arteve si student, i aplikoi edhe në diplomaci.
“Ishte estetika, muzika, historia e Shekpsirit dhe Gëtes që ishin një frymëzim i madh për të parë botën ndryshe. Në punën time kuptova se si mund të kombinoje artin me seriozitetin”, tha Berisha. Ai ka rrëfyer se është frymëzuar nga teoria e “pushtetit të butë” të themeluar nga një profesor i Harvardit, Jozef Nail, i cili mbështetet në teorinë që forca e madhe e diplomacisë mund të zëvendësojë forcën e armëve dhe të ekonomisë.
“Më kujtohet se si në SHBA, njerëz të ndryshëm të politikës më thonin: Na bëj t’ju njohim, na jepni mundësinë t’ju njohim!. Pra, jemi ne që kemi mundësinë të prezantojmë këtë vend ashtu siç duhet. Dhe unë besoj se kultura, performimi i artistëve, dhe gjuha e duhur e diplomatëve mund të bëjë kuriozë të huajt që të njohin të shkuarën tonë”, tha Ambasadori Berisha në “Refleksione”, në ABC.
Ndërkaq, Ambasadori i është kthyer edhe çështjes së qëndrimit të britanikëve ndaj shqiptarëve. Ka qenë piëkrisht “Konferenca e Londrës” ajo që njohu ndryshimin e kufijve, të cilat i kemi edhe sot. Por sipas ambasadorit Berisha, britanikët janë kontribues thelbësorë në atë që ka ndodhur me historinë dhe njohjen e Shqipërisë. “Duhet të korrigjohej politika britanike ndaj shqiptarëve dhe ajo u korrigjua në vitin 1999, kur Kosova u çlirua dhe trupat e parë të NATO-s që hynë në Vërmicë ishin pikërisht trupat britanike”.
Nipi i një miku të madh të shqiptarëve, Aubery Herbert, komandant Meloti, tha duke bërtitur me të madhe mbi tank: ‘Po futem në Kosovën e lirë, unë, nipi i një miku të madh të shqiptarëve, i Aubery Herbert’!
Nuk ka asnjë komb tjetër në glob që të ketë bërë më shumë për shqiptarët se sa britanikët. Shenjat e para të britanikëve fillojnë në vitin 1510 kur mbreti i Francës dhe mbreti britanik takohen në Canes dhe dalin nga aty me veshje tradicionale shqiptare. Në vitin 1602 Shqipërinë e përmend Shekspiri”, tha Berisha, duke kujtuar gjithashtu se, prania e Shqipërisë në Ligën e Kombeve në vitin 1920 ishin britanikët, të cilët kontribuan që Shqipëria të njihej me kufijtë e saj të vitit 1913, që deri në atë moment ishin të rrezikuara të zhdukeshin nga pushtimi i fqinjëve.
Ambasadori Berisha ka kujtuar në “Refleksione” se, disa momente gjatë karrierës së tij diplomatke, do të mbeten të pashlyera. Ai ka kujtuar takimin me mbretëreshën Elizabetë, takimin me Henri Kisingeri në Senatin Amerikan, apo debatin e hapur me Nikos Kocias, që ishte në Oksfrod duke diskutua lidhur me çështjen shqiptare sipas versioneve greke.
Ndërsa, si një nga diplomatët shqiptarë që ka veçuar, ka qenë Lorenc Kurti i lauruar në Venecia, që i ka shërbyer Shqipërisë në Ligën e Kombeve. “Kur Italia pushtoi Shqipërinë ai u gjend në Londër dhe nuk dorëzoi kurrë inventarin dhe vulën e Shqipërisë. Ai botoi në gazetat britanike protestën e shqiptarëve ndaj pushtimit, duke mbetur një diplomat që pa si primare flamurin dhe çështjen kombëtare”, tha ambasadori Mal Berisha në “Refleksione”.
/Abcnews.al/