Ambasadori Cutillo kundër shtyrjes së zgjedhjeve pa marrëveshje politike

schedule12:31 - 4 Qershor, 2019

schedule 12:31 - 4 Qershor, 2019

Ambasadori Italian Alberto Cutilo gjatë një aktiviteti organizuar në Shkodër është pyetur lidhur me situatën politike në vend për të cilën ka thënë se fillimisht do të duhej një marrëveshje politike për të arritur tek shtyrja e zgjedhjeve.

Gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës, ambasadori Italian Alberto Cutillo ka folur për krizën politike në vend. Duke njoftuar paraprakisht dhënien e një përgjigje plotësisht diplomatike, ambasadori ka deklaruar se zgjedhjet ashtu si njihen në demokracitë evropiane, janë ato ku të gjitha partitë që kanë mbështetje në elektorat të prezantojnë listat e tyre dhe të votohen.

“Në këtë pikë në Shqipëri rregullat janë kapërcyer dhe është e vështirë të thuhet çfarë është më normale të ndodhë, të bësh zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive që nuk janë regjistruar apo te shtyhen zgjedhjet, gjë që do të kërkonte modifikim të kushtetutës për afatet e parashikuara. Kjo zgjidhje e dytë mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje, pasi të shtysh zgjedhjet pa patur fillimisht një marrëveshje politike do të ishte gabim, pasi sjell ndryshimin e kushtetutës duke lejuar kështu shtyrjen e vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë “një arnë më të keqe se e grisura”, tha Cutillo.

Duket se ambasadori Italian përjashton mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve pa patur një marrëveshje politike mes palëve, duke theksuar gjithashtu se zhvillimi i tyre pa pjesëmarrjen e opozitës do të ishte një precedent në demokracitë evropiane./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!