Ambasadorët në Kosovë: Ndryshimi i kufijve nuk ndodh pa dhunë

schedule17:20 - 26 Shtator, 2018

schedule 17:20 - 26 Shtator, 2018

Në një raport të përbashkët ambasadorët europianë në Prishtinë theksojnë ndër të tjera se ndryshimi i kufijve nuk mund të ndodhë pa dhunë. Lajmi konfirmohet nga mediat kosovare, të cilat shtojnë se një pikë tjetër e raportit ishte dhe se presidenti Thaçi ka nisur të humbasë mbështetjen e vëzhguesve të huaj në vend.

Çdo ndryshim kufijsh të Kosovës nuk mund të kalojë pa dhunë. Mediat kosovare citojnë në këtë mënyrë vlerësimin e disa ambasadorëve europianë në Prishtinë, në një raport konfidencial të hartuar për nevojat e Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, një organizatë paneuropiane me ndikim të madh.

Raporti vlerëson se edhe presidenti Thaçi ka nisur ta humbasë përkrahjen e vëzhguesve të huaj në Kosovë, ndërsa si kundërshtarë të idesë së tij për ndryshimin e kufijve dhe këmbimin e territoreve përmenden kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Raporti trifaqësh, një kopje të së cilit e ka dhe media e shkruar në Kosovë, është hartuar nga Norbert Roettgen, kryesues aktual i Komisionit për Politikat e Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë “Bundestag” dhe Robert Kuper, ish-mbikëqyrës i dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, dhe trajton çështjen e referendumit për emrin e ri të Maqedonisë, si dhe debatin në Kosovë rreth ndryshimit të kufijve.

Në pjesën për Kosovën, ata nënvizojnë se nuk është e besueshme që një plan konkret për marrëveshjen Kosovë-Serbi është i gatshëm, e theksojnë se qeveritë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë “nuk duhet të gëzohen së tepërmi me idenë për ndryshimin e kufijve. Nëse kjo ndodh, gjasat janë se do të kalojë kohë para se të shfaqet një propozim funksional në tavolinë”.

“Luftimet dhe konfrontimet politike mes partive, spekulimet dhe teoritë e konspiracionit karakterizojnë debatin në vend”, thuhet më tej në raportin e titulluar “Një epokë e re në Ballkan?”, ku seksioni për Kosovën është emërtuar “Çështja e kufijve në Prishtinë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!