Ambasada kineze në Holandë: Pekini nuk do të lejojë sulmet kibernetike

schedule08:14 - 7 Shkurt, 2024

schedule 08:14 - 7 Shkurt, 2024

Pekini nuk do të lejojë asnjë subjekt apo individ kinez që të kryejë aktivitete të paligjshme, si sulmet kibernetike, ose përdorimin e objekteve kineze për sulme të tilla, thuhet në një deklaratë të publikuar të mërkurën nga ambasada kineze në Holandë.

Reagimi i ambasadës kineze vjen pas një raporti të agjencive holandeze të zbulimit që akuzonte spiunët kibernetikë të mbështetur nga shteti kinez për ndërhyrje në një rrjet ushtarak holandez vitin e kaluar. Kjo është hera e parë që Holanda ka akuzuar Kinën për spiunazh kibernetik.

“Kina kundërshton çdo spekulim keqdashës dhe akuza të pabaza, dhe mbron përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur sigurinë kibernetike përmes dialogut dhe bashkëpunimit”, citohet të ketë thënë në deklaratë një zëdhënës i ambasadës.

Këto janë akuzat e fundit nga një vend që pretendon se Pekini u përpoq që të hakerojë të dhëna sensitive. Të hënën, Filipinet thanë se kishin penguar një sulm kibernetik nga hakerët kinezë.

Sipas një raporti nga agjencia e lajmeve Reuters, muajt e fundit qeveria amerikane nisi një operacion për të luftuar një sulm të gjerë hakerimi kinez që komprometoi mijëra pajisje të lidhura me internetin.

Grupi i hakerëve në qendër të aktiviteteve të fundit, “Volt Typhoon”, ka alarmuar veçanërisht zyrtarët e zbulimit të cilët thonë se sulmi kibernetik është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kompromentuar infrastrukturën kritike perëndimore, përfshirë portet detare, ofruesit e shërbimeve të internetit dhe shërbimet komunale.

Zëdhënësi i ambasadës kineze në Holandë tha se, “Qeveria kineze në përputhje me ligjin gjithmonë i ka kundërshtuar dhe i ka goditur me vendosmëri të gjitha format e sulmeve kibernetike”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!