Ambasada e SHBA në Prishtinë: Shqetësuese rritja e rasteve me COVID-19, të zbatohen masat

schedule18:05 - 2 Nëntor, 2020

schedule 18:05 - 2 Nëntor, 2020

Ambasada e SHBA në Prishtinë ka reaguar me shqetësim lidhur me rritjen e rasteve të reja me Covid-19 në Kosovë. Përmes një komunikimi në faqen e saj zyrtare, ajo thekson se kërkohet një veprim vendimtar për ta zvogëluar transmetimin e mëtejshëm të virusit. Në deklaratë thuhet se masat parandaluese janë efektive vetëm nëse ato zbatohen dhe i kërkon institucioneve të marrin shembullin e saj.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga rritja e rasteve me COVID-19 në #Kosovë & rajon. Kërkohet veprim vendimtar për ta zvogëluar transmetimin e mëtejshëm. Masat parandaluese janë efektive vetëm nëse ato ndiqen dhe zbatohen. Qeveria, punëdhënësit dhe individët ndajnë të gjithë përgjegjësinë në këtë luftë.

Si punëdhënës i mbi 500 persona, Ambasada e merr seriozisht këtë përgjegjësi. Duke maksimizuar punën telefonike, duke eliminuar të gjitha takimet përpos ato thelbësore dhe duke zbatuar mbajtjen e maskës, ne po mbrojmë punonjësit tanë dhe familjet e tyre. Ne inkurajojmë punëdhënësit e tjerë ta bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Në 24 orët e fundit në Kosovë u regjistruan 9 viktima dhe 486 raste të reja me Covid-19. Kjo rritje e ndjeshme e infeksioneve ka bërë që qeveria të ndërmarrë masa të reja kufizuese të cilat kanë hyrë në fuqi nga dita e sotme./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!