Ambasada e SHBA në Prishtinë: Zyrtarët amerikanë përforcuan porosinë e Trump

schedule23:59 - 28 Shkurt, 2019

schedule 23:59 - 28 Shkurt, 2019

Gjatë vizitës së tyre në Prishtinë, zyrtarët e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare i mëshuan rekomandimit të presidentit Donald Trump që qeveria e Kosovës të heqë dorë nga taksa për produktet serbe dhe ato boshnjake. “Zyrtarët erdhën për të përforcuar porosinë e presidentit Trump për të kapur këtë moment unik dhe për t’u vetëpërmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e marrëveshjes të vështirë”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Në njoftimin zyrtar nënvizohet se, si në Serbi ashtu dhe në Kosovë, Xhon Wreth dhe Bred Berkli shprehën qëndrimin e Uashingtonit se dialogu duhet kthyer në binarët e duhur, se të dyja palët duhet t’i japin fund provokimeve dhe të ndërmarrin hapa konstruktirvë. “Mysafirët përsëritën mesazhin se taksa për produktet e Serbisë dhe Bosnjës është një pengesë në rrugën drejt progresit dhe minon partneritetin dypalësh SHBA-Prishtinë, ndaj duhet të pezullohet në mënyrë që edhe dialogu me Serbinë të lëvizë përpara”, vijon komunikata. Në të thuhet më tej se, dy zyrtarët shprehën mbështetjen amerikane që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe konfirmuan rreshtimin e SHBA pranë Kosovës për këtë interes të përbashkët strategjik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!