Ambasada amerikane në Serbi: Nuk do të harrojmë vrasjen e vëllezërve Bytyqi, kërkojmë drejtësi

schedule09:55 - 8 Korrik, 2021

schedule 09:55 - 8 Korrik, 2021

Ambasada amerikane në Serbi, së fundmi ka përsëritur rastin e vrasjes së vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi.

Përmes një postimi  në rrjetet sociale ambasada thekson mos veprimin e autoriteteve në Beograd, për kapjen e vrasësve të vëllezërve Bytyqi. Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në SHBA dhe kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vite më parë nga njësitë speciale të policisë serbe.

Sot janë bërë 22 vite nga vrasja e tre shtetasve amerikanë që derisa ishin në paraburgim në Serbi, u vranë e trupat e tyre janë gjetur në Petrovo Sello në lindje të Serbisë – bazë stërvitore e njësisë speciale e policisë serbe që udhëhiqej nga Goran Radosavleviç i njohur si Guri.

Vëllezërit Bytyqi ishin qëlluar me plumba në kokë derisa duart i kishin të lidhura pas shpinës – e as pas dy dekadave ende nuk është kryer hetime i plotë i këtij rasti nga autoritetet serbe. Lidhur me këtë ka reaguar ambasada amerikane në Serbi, me një kumtesë.

“Drejtësi për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, kërkojmë përgjegjësi ndaj atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjen e tyre dhe do të vazhdojë të mbetet një prej prioriteteve në raportet tona bilaterale me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bën thirrje autoriteteve serbe, që prej vitesh premtojnë ndihmë në këtë rast, të kryejnë një hetim të plotë. Ky rast sikur shumë tjerë, tregon nevojën urgjente që Serbia të kryej hetime e papërfunduara të krimeve të luftës, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane në Beograd. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!