Amal Clooney, Michelle Obama dhe Melinda Gates bashkojnë zërat e tyre për një qëllim të përbashkët

schedule11:57 - 23 Nëntor, 2023

schedule 11:57 - 23 Nëntor, 2023

Amal Clooney, Michelle Obama dhe Melinda Gates, tre nga gratë më me ndikim në botë, bashkojnë zërat e tyre dhe zotohen për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve.

Tre figurat ndërkombëtare, të cilët ishin në Malavi, madje janë zotuar t’i japin fund martesës së fëmijëve brenda një brezi, ndërsa OKB-ja megjithatë paralajmëroi se një gjë e tillë nuk do të zhduket as pas 300 vjetësh.

Duke folur për punën e tyre, Amal Clooney tha për BBC: “Ka qenë një bashkëpunim dhe miqësi vërtet e mrekullueshme dhe shumë organike mes ne të treve“, ndërsa ish-Zonja e Parë e SHBA-së Michelle Obama shtoi: “Është një çështje që mund të zgjidhet nesër. Mund të ndodhë në më pak se një brez”.

Nisma e fundit e Fondacionit Clooney, Waging Justice For Women, financon Shoqatën e Grave Juriste të Malavisë. Puna e tyre deri më tani ka përfshirë dhënien e këshillave ligjore falas dhe asistencës klinike në disa nga zonat më të largëta të Malavi, milje larg rrugëve dhe energjisë elektrike.

Amal Clooney ndoqi klinikën e parë në distriktin Mchinji, i cili është një nga 12 “pikat e nxehta” të vendit për martesat e fëmijëve. Ajo tha: “Është një privilegj të punosh me kaq shumë gra frymëzuese të Malavisë në luftën për të bërë histori martesën e fëmijëve. Martesa e fëmijëve ende ekziston sepse nuk ka mbrojtje të mjaftueshme ligjore për miliona vajza në të gjithë Afrikën. Madje edhe në vende si Malavi, ku martesat e fëmijëve janë të ndaluara, vajzat nuk kanë akses në drejtësi”.

Amal u takua gjithashtu me presidentin e vendit, Lazarus Chakwera, i cili pas takimit të tyre rinovoi angazhimin e qeverisë për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve në vend deri në vitin 2030 dhe i kërkoi ministrit të financave të ndajë burime të mjaftueshme për projektin.

Sipas UNICEF-it, rreth 640 milionë vajza dhe gra që jetojnë sot janë martuar si fëmijë. OJQ-ja Girls Not Brides raporton se 42% e vajzave në Malavi janë martuar tashmë në moshën 18-vjeçare.

Në Mchinji, 33% e vajzave thuhet se mbeten shtatzënë para moshës 18 vjeç./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!